Fushata e balotazhit, Krasniqi: PDK-ja garon me njerëz të dëshmuar e programe konkrete
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi me rastin e nisjes së fushatës së balotazhit të 9 nëntorit, tha se PDK garon me njerëz të dëshmuar, programe konkrete dhe ekipe të jashtëzakonshme.
Ai u shpreh se kryetarët nga radhët e PDK-së kanë bërë punë të jashtëzakonshme edhe pa mbështetjen e nivelit qendror.
“Sot nis zyrtarisht fushata e balotazhit të 9 nëntorit, dhe me të edhe rruga drejt fitores së madhe të punës, besimit dhe përvojës, në gjashtë komunat ku PDK garon me njerëz të dëshmuar, programe konkrete dhe ekipe të jashtëzakonshme. Shaqir Totaj në Prizren, Arian Tahiri në Mitrovicë, Ferit Idrizi në Vushtrri, Sabedin Vishi në Kaçanik, Sokol Bashota në Klinë dhe Shaban Shabani në Dragash janë, para së gjithash, njerëz të ndershëm, por edhe kryetarë të zotë, të afërt me qytetarët dhe të përkushtuar për të ardhmen e komunave të tyre”.
“Kryetarët nga radhët e PDK-së kanë bërë punë të jashtëzakonshme edhe pa mbështetjen e nivelit qendror. Ata do të vazhdojnë të bëjnë punë edhe më të mirë me një qeveri që i mbështet të gjithë, pa dallim, siç bën PDK-ja. Prandaj, balotazhi i 9 nëntorit është një mundësi për vazhdimin e shembullit më të mirë të qeverisjes lokale që PDK e ka vendosur si standard në Kosovë, kudo që ka qeverisur”.
“Kryetarët tanë janë të përcaktuar rreth vizionit të përbashkët për një Kosovë që zhvillohet së bashku me mirëqenien e qytetarëve të saj. Sepse 9 Nëntori është dita e qytetarëve. Dita e vlerave. Dita e fitores. Sepse komunat tona meritojnë më mirë”, ka shkruar Krasniqi.