KQZ-ja certifikon rezultatet për kryetarë në 35 komuna për zgjedhjet e 12 tetorit
Me 10 vota për, janë shpallur rezultate përfundimtare për kuvendet komunale në komuna e Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar edhe rezultatin për kryetarë të komunave.
Në fillim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarët e komunave: Prishtinë, Junik dhe Mamushë.
Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP-i se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të 35 komunave:
Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Han i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Rezultatet përfundimtare të këtyre komunave janë shpallur nga KQZ-ja më 25 tetor 2025.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për anëtarë të 37 kuvendeve komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.
Rezultatet u shpallën për këto komuna:
Deçan, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Prizren, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Në këtë vendim të KQZ-së, nuk përfshihet rezultati i zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Gllogocit (Drenasit), pasi në Gjykatën Supreme ende nuk është përmbyllur vendimmarrja për një ankesë të parashtruar në këtë institucion.