Supremja ia refuzon si të pabazuar ankesën kandidatit për asamblist në Drenas
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, kandidat për Asamble Komunale në Komunën e Gllogocit, nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate, paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 29.10.2025.
Pasi PZAP-i kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Krasniqit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, me pretendimin për parregullsi gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit ( QKN) për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025.
“Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, si dhe shqyrtimit shkresave tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar”, ka njoftuar Supremja. /Zëri