KQZ-ja akrediton mbi 8000 vëzhgues për rundin e dytë zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar disa vendime që lidhen me përgatitjet për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që do të mbahen më 9 nëntor 2025. Në këtë mbledhje ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte procesi i akreditimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike, organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesve të mediave që do të monitorojnë balotazhin, raporton Ekonomia Online.
Në fillim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për akreditimin dhe konfirmimin e 8,049 vëzhguesve të shtatë subjekteve politike të certifikuara, të cilat garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Këta vëzhgues do të jenë të angazhuar në qendrat e votimit në të gjitha komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.
Në vazhdim, KQZ-ja miratoi gjithashtu akreditimin e vëzhguesve të organizatave të ndryshme joqeveritare dhe përfaqësive diplomatike, të cilat do të kenë mandat për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë balotazhit të 9 nëntorit.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, Komisioni vendosi edhe për akreditimin e përfaqësuesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare, që do të raportojnë drejtpërdrejt nga qendrat e votimit dhe do të ndjekin zhvillimet gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti një shqetësim në lidhje me vonesat e fletëvotimeve që po raportohen nga disa qytetarë të Kosovës që jetojnë në vendet skandinave, kryesisht në Norvegji.
“Ka shumë persona, sidomos në Norvegji, që nuk e kanë marrë postën me kohë. Dua ta ngrit si çështje, sepse është shqetësim i disa qytetarëve që ende nuk u ka arritur zarfi me fletëvotim. Afati është deri nesër apo pasnesër dhe nuk kanë mundur të votojnë. A ekziston mundësia që të shtyhet ky afat?”, tha Kurteshi.
Në lidhje me këtë çështje, anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi, u bashkua me shqetësimin, duke kërkuar një raport të detajuar për situatën dhe mundësinë e shtyrjes së afatit për pranimin e fletëvotimeve në rastet ku ka pasur vonesa të postës.
“Divizioni përkatës duhet ta shqyrtojë këtë problem dhe të raportojë nëse ka pasur vonesa në dërgimin e fletëvotimeve. Nëse po, duhet të diskutohet mundësia e shtyrjes së afatit. Kam marrë telefonata edhe nga Gjermania, por sidomos nga vendet skandinave. Ka gjasa që një pjesë e zarfeve të dërguara të premten të na dorëzohen të martën, prandaj duhet të shohim ku qëndron problemi”, tha Krasniqi.