KQZ-ja drejt përfundimit të përgatitjeve për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 9 nëntor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë në fazën përmbyllëse të procesit përgatitor, për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash, që do të mbahen të dielën e 9 nëntorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të enjten se të shtunën fletëvotimet do të shpërndahen për në komunat ku mbahet ky rund zgjedhjesh.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 9 nëntor. Aktivitetet po zhvillohen sipas planit dhe para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha komunat ku do të votohet, përfshirë edhe fletëvotimet dhe pajisjet tjera të nevojshme për procesin e votimit”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1.316.672, të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Po sipas KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 525 qendra të votimit, me gjithsej 1.648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1.628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. /teve1