Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, tashmë janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.
Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Më 14 dhjetor, KQZ-ja ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.
Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025.
Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, ose në kutitë postare më të afërta.
“KQZ-ja inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare, nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”.
