Mustafa: Mosvotimi i demarkacionit do të ishte fatal për Kosovën

Aktuale August 19, 2016 - 22:55

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i sigurt se marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

"Nuk pres të dështojmë. Dështimi do të ishte izolim i Kosovës", ka thënë Mustafa në Debat të RTK-së.

Mustafa ka shprehur bindjen e tij se deputetët "nuk do ta marrin përgjegjësinë ta izolojnë Kosovën dhe të veprojnë në kundërshtim me faktet, dhe me atë që SHBA'ja kërkon ta realizojmë dhe ta bëjmë".

Ai ka thënë se në asnjë rast deputetët dhe qytetarët s'kanë vepruar kundër qëndrimeve të SHBA'së, andaj nuk pret që kjo të ndryshojë.

"Çdonjëri ulet dhe mendon mirë se ku çojnë veprimet", ka thënë Mustafa, duke i bërë thirrje për reflektim deputetëve që kundërshtojnë demarkacionin.

"Veprime që çojnë në izolim s'do të marrin deputetët. Jam shumë i sigurt, çdo gjë tjetër do të ishte fatale", ka thënë Mustafa.