Komisioni Hetimor do të ftojë dëshmitarë për punën e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm

Komisioni Hetimor do të ftojë dëshmitarë për punën e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm

Aktuale April 26, 2024 - 14:15

Komisioni Hetimor Parlamentar në mbledhjen e radhës ka diskutuar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës harton planin e punës së komisionit.

Kjo ishte mbledhja e tretë e këtij komisioni, pasi që dy të parat dështuan në mungesë të kuorumit. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që të dërgohet buxheti i komisionit dhe pastaj të diskutohet. U kërkua që të caktohen edhe ekspertët që do të merren me listën e dëshmitarëve. U votua plani i punës, pasi kishte edhe kuorum.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, në cilësinë e kryetares së Komisionit tha se në bazë të praktikave të mëhershme, zgjidhen edhe ekspertët.

“Ekspertët duhet të jenë të lamisë dhe që e njohin punën dhe me i përzgjedh. Ne do ta miratojmë raportin e këtij komisioni hetimor por edhe që ata do të na ndihmojnë shumë gjatë punës. Unë pajtona me komentet e gjithsecilit. Unë propozoj ta votojmë me mundësi të plotësimit dhe ndryshimit”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj tha se duhet të flasim edhe rreth buxhetit, pasi duhet të angazhojmë ekspertë.

“Është mirë me i angazhu dy ekspertë, ta bëjmë një plan buxhetor dhe në mbledhjen e radhës së Parlamentit ta dërgojmë këtë kërkesë të Komisionit Hetimor për miratim të buxhetit duke i përfshirë edhe buxhetin për angazhimin e dy ekspertëve. Pra ta lëmë stafin që të merret me këtë çështje”, tha Kadrijaj.

Zyrtarët Kuvendit thanë se drafti i kërkesës për buxhet është i gatshëm, por nuk e kanë sjellë pasi nuk ishte në rend të ditës.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arjana Musliu-Shoshi tha se duhet ta kenë prioritet listën e dëshmitarëve.

“Është me prioritet ta miratojmë edhe listën e dëshmitarëve. Mendoj se si komision duhet me i dorëzu emrat, fushëveprimin, do të ishte mirë me i caktu sot ose me i sjell emrat që do të jenë dëshmitarë në këtë komision dhe t’i trajtojmë në mbledhjen e radhës”, ka thënë Shoshi.

Me këtë është pajtuar kryetarja e Komisionit, Kadrijaj.

U vendos po ashtu që mbledhja e radhës të mbahet të martën, në orën 15:00. /EO