Krasniqi: “Kush e kërkon luftën është i çmendur, t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet është mençuri” (Video)

Aktuale September 22, 2016 - 20:47

Në emisionin “Komiteti Qendror”, që drejtohet nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni – prodhim i Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini – kryetari për çështje kombëtare i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka folur për kërcënimin me luftë ndaj Malit të Zi nga ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Deklaratën e fundit të Kurtit, në një intervistë dhënë "Zerit",  për kërcënim me luftë kundër Malit të Zi, në rast të ratifikimit të Demarkacionit, Krasniqi e komenton duke cituar Marin Barletin: “Kush kërkon luftën është i çmendur, t’i përgjigjesh kur ajo të imponohet është mençuri”.

Krasniqi kujton se populli ynë asnjëherë nuk ka nxitur luftë.

Demarkacioni, sipas Jakup Krasniqit, nuk mund të kalojë, sepse përveç opozitës, atë nuk e përkrahin as disa deputetë të pozitës dhe nuk do ta votonin.

“Demarkacioni të ratifikohet, por nuk duhet të kalojë pa u rishikuar në marrëveshje me Malin e Zi. Nëse dy qeveritë nuk pajtohen, atëherë lënda duhet të kalojë në arbitrazh”, ka thënë Krasniqi në “Komitetin Qendror”.