Lirika, flutura që s'fluturon dot

Aktuale December 03, 2016 - 21:29

Lirika Berisha është një vajzë që sot mbush dhjet vjeç, dhe që nuk dallon shumë nga moshatarët e saj. Ajo nuk e di se ç'do të thotë ndjesia e të ecurit, sepse nuk e ka provuar kurrë. Ka lindur me dy sëmundje që ia kanë pamundësuar ecjen, dhe karroca lëvizëse tani është pjesë e pandashme e saj.

Nëna që nuk dorëzohet

Aida është nëna e Lirikës, dhe raporti mes tyre është më tepër se kaq, sepse ato janë gati të pandara. Jeta e tyre është e tillë dhe mundohet t’ia kushtoj kohën e saj, vajzës së saj të veçantë, për të.

“E kam pasë shumë të vështirë të pajtohem me fatin tim, kur për herë të parë e pashë në spital. Jam alivanosur. Kam thënë me vete pse ky fat të më pres mua. Nuk e kuptoja!”

Viti i parë ka qenë shumë i vështirë për të dy prindërit, sepse Lirika ishte dashur patjetër të kurohej në Prishtinë, larg nga Peja, larg tyre. Babai udhëtonte për çdo ditë, gjatë gjashtë muajve të parë, kurse Aida nuk mundte, sepse ishte shumë e mërzitur dhe akoma nuk mund ta besonte realitetin që po iu ndodhte.

“Isha shumë keq. Ato gjashtë muaj kanë qenë shumë të vështira për mua, ndoshta më të vështirat e jetës sime. Nuk kam mujt me u adaptu me faktin se Lirika ka lind ashtu!”

Ndërkohë që koha kalonte, Aida filloi ta kuptonte që duhej të mësohej, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Shumë gjëra ndryshuan kur Lirika filloi ta vijonte çerdhen e fëmijëve, pas moshës 1 vjeçare, dhe aty Aida e vërejti se sa shpejt filloi të socializohej me fëmijët e tjerë.

Kthesa më e madhe në jetën e tyre, ishte në një pushim që organizoi HANDIKOS-i. Aty u takua me shumë nëna të tjera, nga gjithë Kosova, dhe pa se ka fëmijë edhe më të sëmurë, që nuk kanë vetëm probleme fizike por edhe mentale. Gjendja e tyre ishte shumë më e rëndë se e Lirikës.

Për herë të parë e kuptoi se nuk ishte e vetmja që e kishte pasur këtë fat, sepse disa gra që kishte takuar i kishin rastet edhe më të rënda, kurse ky udhëtim e bëri t’i kuptoj shumë gjëra.

Orari i jetës së tyre

Të dy prindërit nuk e lënë kurrë vetëm Lirikën, as edhe për një çast, sepse për çfarëdo nevoje që ka të jenë afër saj. Nëna, e cila është farmaciste punon në orarin e pasdites, e kurse babai në orarin e mbrëmjes, vetëm e vetëm që të jetë me të gjatë gjithë ditës. Ai, menjëherë pasi e përfundon orarin e punës, në mëngjes, vjen që ta dërgoj vajzën në shkollë, edhe pse me asnjue orë gjumë.

Tani gjërat janë më ndryshe, pasi Lirika ka përfunduar klasën e dytë, në shkollën e rregullt “Asdreni”, dhe është një nxënëse e shkëlqyshme.

“Shkolla është larg nga shtëpia jonë, sepse gjendet në qendër, kurse ne jetojmë afër parkut të qytetit. Shkolla të cilën e kemi shumë afër dhe do mund ta dërgojë Lirikën në këmbë, nuk na e mundësoi që një klasë në kat të parë, edhe pse kam pritur disa muaj. Aty asgjë nuk ndodhi.”- tregon Aida.

Mirëpo, thotë se Lirika është socializuar me shoqërinë e re dhe nuk ka probleme në shkollë, pasi që kjo shkollë ia ka mundësuar që në katin e parë të jetë edhe klasa ku ajo vijon mësimet.

Lirika tregon se nga lëndët mësimore, nuk e ka shumë qejf matematikën, sepse nuk i do numrat.

Vjershat që prekën zemrat e publikut

Lirika është një vajzë që ka marrë pjesë në shumë gara, si nga niveli komunal, por edhe në kryeytet. Hera e parë kur ka recituar, ka qenë në Kuvendin Komunal të qytetit të Pejës, ku recitoi vjershën “Flutura”. Kjo vjershë me vargjet prekëse, tregon vullnetin e Lirikës për të jetuar, por pa paragjykime e diferencime, sepse edhe ajo është e njëjtë sikur të gjithë fëmijët e tjerë. Kjo është edhe motoja e këtyre vargjeve, se edhe pse ka nevoja të veçanta, nuk dallon nga të tjerët.

“Pritmë, pritmë se vij vet,

Jam n’karrocë por gjë s’më pret,

Vetëm shtegun mos ma mbyll,

Kam edhe unë diku një yll.”

Kjo është vetëm një strofë e kësaj poezie që tregon se përballë çdo vështirësie ajo do t’ia dalë, por e tëra që kërkon është që mos t’ia humbin shpresën. Të gjithë asambleistët dhe të pranishmit e tjerë janë ngritur në këmbë dhe me lot në sy e kanë duartrokitur Lirikën, që çdo vjershë e përcjellë me ndjenja. Ajo tani ka marrë pjesë edhe në Prishtinë, me rastin e ditës së fëmijëve, 1 qershorit, ku ka takuar fëmijë të tjerë, të cilët e kanë lavdëruar për talentin e saj për recitim. Ajo ndihet e lumtur kur të tjerët e lavdërojnë, dhe kjo është kryesorja, që të jetë e njohur për gjërat që di të bëjë më së miri, e mos ta shoqërojë ndjenja e dhimbjes nga ana e të tjerëve, sepse edhe ajo mund t’ia dalë!

HANDIKOS-i i ndryshoi jetën

Që nuk përfundon gjithçka kur je me nevoja të veçanta, e dëshmon më së miri, koordinatorja e Qendrës “HANDIKOS” në Pejë, Sabrie Zeqaj. Ajo nga një aksident , në moshë të re, mbeti në karrocë, por asgjë nuk e ndali të vazhdojë rrugën e saj në jetë. Ajo çdo ditë udhëton nga Strellci, një fshat afër Deçanit, me makinë, për të ardhur në vendin e punës, në Pejë.

Zyra e saj, në një anë është e mbushur me medalje dhe çertifikata, nga puna e saj me vite në këtë qendër.

Aida tregon se përkrahje të madhe kishte nga Sabria, që e ka motivuar shumë, dhe ia ka mundësuar ardhjen në këtë qendër, ku Lirika vjen dy herë në javë për ushtrime trupore. Nga kjo qendër e ka siguruar edhe karrocën e parë për Lirikën, por edhe dhurata të tjera simbolike.

Sabria i informon për garat dhe programet që mbahen, dhe Lirika ka marrë pjesë në shumicën prej tyre, ku ka marrë komplimente të shumta, por edhe ka emocionuar publikun.

Përveç Sabries, këtu është edhe stafi që merret me fëmijët që vijnë, duke iu mundësuar ushtrime trupore, sidomos për ata që kanë probleme me të ecurit.

Punëtoret Syzana Turjaka, Sekibe Shala e Blerta Polluzha, thonë se e punojnë me qejf këtë punë dhe kanë dëshirë t’iu ndihmojnë këtyre fëmijëve. Ato tregojnë se kënaqen shumë me sukseset e tyre, e në veçanti me të Lirikës, ku me vjershat e recituara ka fituar zemrat e publikut.

Motoja e kësaj qendre është: “Edhe ne jemi të njëjtë si ju, edhe ne mundemi!”