E konfirmon Qeveria: Jevtiq s’është më ministre

Aktuale December 29, 2016 - 23:06

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Mirijana Jevtiq, ka dhënë dorëheqje nga posti i saj. Ajo tashmë ka dorëzuar në sekretariat edhe vendimin e dorëheqjes, kështu kanë treguar për Gazetën Express burime brenda Qeverisë së Kosovës. Vendimin për dorëheqjen e ministres pritet ta marrë zyrtarisht nesër kryeministri Isa Mustafa.

“Vendimi tashmë është dërguar tek zyra e sekretarit. Nesër arkiva mund ta përcjellë tek zyra e kryeministrit dhe ai të njoftohet zyrtarisht me dorëheqjen e saj”, ka thënë ky burim brenda Qeverisë.

Informatën për dorëheqje e ministrisë Mirijana Jevtiq, e ka konfirmuar gjatë ditës edhe kryetari i Listës serbe, Slavko Simiq.

"Mirijana Jevtiq rreth mesditës e ka njoftuar kryeministrin Mustafa se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal e për dorëheqje të Jevtiqit kryeministrin e ka njoftuar edhe Lista Srpska”, ka thënë Simiq.

Funksionin e ministres, Jevtiq e ka ushtruar nga 16 dhjetori, pasi kryeministri Mustafa e kishte shkarkuar ministrin Lubomir Mariq. 

Shkarkimin e Jevtiqit dhe kthimin e Mariqit në post e kishte kërkuar Qeveria e Serbisë, pas takimit me përfaqësues të Listës serbe në fillim javë në Beograd.

Kryeministri Mustafa ka thënë se Mariq nuk do të kthehet në postin e ministrit.

 Lista Serbe dje e ka ripezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.