Kryeministri serb ka keqpërdorur fondet publike për fushatë

Aktuale January 16, 2017 - 22:14

Profili i Aleksandër Vuçiqit në Wikipedia është pastruar nga një kompani lobimi.

Qeveria serbe ka gënjyer kur ka mohuar se ka qenë kliente e kompanisë me bazë në Londër, “Bell Pottinger”, transmeton “Zeri.info”.

Në vitin 2014, Qeveria e Serbisë dhe Partia Progresive Serbe e kryeministrit Vuçiq ishin të dyja kliente të kësaj kompanie në të njëjtën kohë.

Në shtator të vitit 2013, një autor në Wikipedia që ka punuar nën emrin “Vivj2012”, ka bërë vlerësime pozitive në pjesën hyrëse të profilit të Vuçiqit në Wikipedia, përcjell “Zeri.info”.

Ky i punësuar në “Bell Pottinger”, ka shtuar materiale që lidhen me rolin e Vuçiqit në përpjekje të Qeverisë së koalicionit për të luftuar korrupsionin, si dhe rreth bisedimeve me Kosovën dhe përpjekjet e Serbisë për anëtarësim ne BE.

Në shtator të vitit 2014, opozita dhe mediat e kanë akuzuar Qeverinë se ka pasur kontratë me këtë kompani, por si kabineti i kryeministrit ashtu edhe partia e tij kanë mohuar akuzat.

Mirëpo, këto mohime janë kundërshtuar menjëherë nga një medie e pavarur serbe e cila ka publikuar kontratën me kompaninë  në fjalë duke përfshirë edhe të dhënat nga Regjistri i Transparencës i BE-së, përcjell “Zeri.info”.

Sipas këtij regjistri, në vitin 2014 “Bell Pottinger”,  ka lobuar në të njëjtën kohë për kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe partinë e tij. Dhe të gjitha këto janë paguar me fonde publike. /ZËRI/