Si provuan imamët salafi të krijonin bashkësinë e tyre islame në Kosovë (Foto)

Aktuale January 20, 2017 - 20:30

Ministria e Administratës Publike ka pezulluar punën e organizatës IKSB që u themelua dhe u drejtua nga imamët Ekrem Avdiu, Sadat Rrustemi dhe Alladin Abazi. Vendimi i MAP-it, i lëshuar në tetor të 2016-s është jetëgjatë vetëm 1 vit... Lexoni në Gazetën Express, se si u provua që në Kosovë të krijohet një bashkësi islame e imamëve salafi nga një hoxhë që Prokuroria kosovare vitin që shkoi pushoi hetimet për lidhjet e tij me terrorizmin... 

Tre imamë kosovarë po planifikonin të krijonin një bashkësi të re islame në Kosovë, paralel me atë të BIK-ut të Naim Tërrnavës. Imami nga Mitrovica, Ekrem Avdiu, bashkë me dy kolegë tjerë Hoxhë Sadat Rrustemin nga Lipjani dhe Alladin Abazin nga Obiliqi, në qershor të vitit 2011 kishin certifikuar në institucionet kosovare një organizatë që thirreshin si Institut për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore – IKSB. E këtë OJQ, të tre këta hoxhallarë, po provonin ta shndërronin në Bashkësi Islame, ku rreth vetes do të merrnin imamët salafi në Kosovë. 

Një gjë e tillë, atyre do t’u mundësohej edhe ligjërisht, në rast se Kuvendi do të miratonte ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare në Kosovë. Këto ndryshime në ligj, në një nga nenet e tij, mundësonte themelimin e një institucioni fetar në rastet kur 50 individë formojnë një grupim të tillë. 

Image

Për këto pretendime autoritetet kosovare të sigurisë dhe inteligjencës, në vitin 2014, kishin njoftuar me anë të një raporti, atëkohë Presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin që ishte në përfundim të mandatit Hashim Thaçi. Në raportin në fjalë, një pjesë e së cilës e ka siguruar Gazeta Express, imami Ekrem Avdiu cilësohet si pionier i salafizmit në Kosovë, dhe njerëzit që i janë bashkuar në organizatën IKSB thuhet të jenë figurat më eminente të kësaj rryme ekstreme të islamit në vend.  

“Instituti për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore – (IKSB) është degë apo përfaqësi në Kosovë e Shoqatës së Dijetarëve Myslimanë, e drejtuar nga Ekrem Avdiu (drejtor). Ka filluar aktivitetet e parapara me projektin ‘Multeka Duate’ (që nënkupton ‘Takimi i Hoxhallarëve’) të financuar nga sheiku kuvajtian Abdul Muhsin Almutejeri”, thuhet në këtë raport të AKI-së. 

“Qëllimi i projektit është bashkimi i hoxhallarëve salafi në Kosovë, për të zhvilluar aktivitete fetare përmes hoxhallarëve që do t’i paguajnë nga 200 deri në 300 euro në muaj”, specifikon i njëjti raport i vitit 2014, që pasi me arrestimin e imamit Ekrem Avdiu në shtator të 2014-s – për të mos u konkretizuar asnjëherë me aktakuzë. 

“Pas zbatimit të hetimeve, në mungesë të provave ndaj të njëjtit [E.A.] janë pushuar hetimet vitin e kaluar”, ka njoftuar për Gazetën Express, Prokuroria e Shtetit. 

Megjithatë, pak pasi Prokuroria pushoi hetimet ndaj njërit prej drejtuesve të kësaj organizate, Ministria e Administratës Publike, më 18 nëntor 2016, pezulloi punën e kësaj organizate, me një vendim që përfshiu edhe 15 organizata tjera joqeveritare që funksionon në Kosovë. Pjesa më e madhe e organizatave tjera që u pezulluan, nga ky vendim, ishin pezulluar edhe më parë, me nga një vendim që ekzistonte në fuqi vetëm nga një vit. 

Raporti i inteligjencës që po vëzhgonte punën e IKSD thoshte se në këtë organizatë ishin angazhuar 72 hoxhallarë, dhe një grup tjetër të rinjsh kosovarë që studionin në Mekë, Medinë dhe Rijad. Sipas raportit, pagat e tyre që arrinin deri në 300 euro ishin siguruar pas vizitës së sheikut Almutejri në Kosovë dhe takimit të tij me drejtuesin Ekrem Avdiu dhe imamët tjerë të IKSB-së. 

“Në mesin e këtyre hoxhallarëve janë edhe Idriz Bilibani, Ebubeker Ruli, Hadith Miftari, Eroll Nesimi, të njohur si imam tekfir”, thuhet në raportin, që pasonte me detajet për vendndodhjen e objektit që kjo OJQ ishte duke e ndërtuar në Fushë Kosovë, për nevojat e veta. 

Fondet për financim, tregon raporti, IKSB-së i vinin nga Kuvajti, Arabia Saudite dhe Katari. Shumica e tyre vinin në formë të parave në dorë – kesh, nëpërmjet sheikëve që vizitonin kohë pas kohe rajonin, kishte njoftuar AKI presidenten Jahjaga dhe kryeministrin e asaj kohe, Hashim Thaçin. 

Raporti në fjalë, tutje, tërhiqte vërejtjen se kjo OJQ vazhdimisht u mundësonte aktivitete imamëve që po hetoheshin dhe dyshoheshin për përkrahje të xhihadit dhe luftërave fetare të ISIS-it e Al Nussra’s në Siri e Irak. Të tillë si drejtuesit e saj dhe ata si Shefqet Krasniqi, Idriz Bilibani, Mazllam Mazllami, Enes Goga etj. 

Imamët Enis Rama, Enes Goga, Ekrem Avdiu, Kushtrim Kelmendi (në këmbë), etj..., gjatë ligjërimit në një nga aktivitetet e IKSB

Imamët Goga dhe Mazllami, Bilibani në shtator të 2016-s nisen zyrtarisht betejën me Gjykatat në Kosovës, pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre, imamit tjetër Bedri Robaj dhe politikanit Fuad Ramiqi për dyshimet “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik”, gjegjësisht “Thirrje për rezistencë” (akuzë e ngarkuar ndaj Ramiqit). 

Gazeta Express, ka provuar, të premten, të marrë koment nga kjo OJQ për këto pretendime, që çuan edhe në pezullimin e punës së IKSB-së, por në thirrjen e gazetës në një nga numrat e kësaj organizate, nuk ka pasur gatishmëri që të mundësohet kontakti me drejtuesit e saj për të dhënë sqarimin e tyre. 

Instituti për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore - IKSB, kur u certifikua si OJQ në Kosovë, prezantonte si objektivë të saj “Promovimin e vlerave të mirëfillta progresive; Luftimin e dukurive negative në shoqëri dhe Paraqitjen e diversitetit kulturor ekzistent në shoqërinë kosovare”. Kjo synohej të arrihej përmes “organizimit të debateve publike, kontributit në asociacionet e ndryshme të shoqërisë civile të cilat përputhen me objektivat dhe statutin e organizatës dhe komunikimin me shoqërinë nëpërmjet mediave elektronike dhe të shkruara", specifikohet në certifikatën e organizatës që u lëshua më 1 qershor 2011. 

Imami Ekrem Avdiu

Në një biografi të imamit mitrovicas Ekrem Avdiu, që gjendet në një nga sajtet e kësaj OJQ-je, hoxha përshkruhet për shquarje të mendjemprehtësisë nga fëmijëria. Madje, aty thuhet se atij iu mundësua që të kryente për vetëm 3 vite medresenë, e cila në kushte normale parashihet të zgjasë 4 vjet. Imami që shërben në xhaminë e lagjes "Tavnik" të Mitrovicës, pas përfundimit të shkollës së mesme i vazhdoi studimet në Universitetin e Medinës ku diplomoi më 1997. 

Studime në lindjen arabe kreu edhe Alaudin Abazi, imami nga Millosheva e Obiliqit, që u emërua sekretar i IKSB-së. Ai kishte përfunduar studimet e gjuhës arabe në një universitet të njohur në Rijad dhe më pas Fakultetin e Sheriatit, në po të njëjtin universitet, në kryeqytetin arab. 

Ndërsa, imami tjetër drejtues i të njëjtës organizatë, Sadat Rrustemi nga Banulla e Lipjanit, shërbimin si hoxhë e kishte nisur qysh kur ishte në vitin e dytë të Medresesë, që e kreu në vitin 1990, thuhet në një biografi të tij. Ai kishte shërbyer si hoxhë edhe në Bosnje, plot nëntë muaj. /M.Gj./GazetaExpress/.