Reportazh: Inaugurimi, shëmbëlltyra e demokracisë amerikane

Aktuale January 21, 2017 - 20:01

Mëngjesi i këtij 20 janari në kryeqytetin amerikan Uashington, D.C. më sillte ndërmend mëngjeset dimërore të Tiranës, qytetit aq të dashur për mua.

Agu mbërriti i përhirtë.

Më shkoi mallin e Tiranës pasi ishte një tablo gri dhe dukej sikur do binte shi nga çasti në çast, dhe nuk ishte as acar, sikurse ndodh rëndom në dimrin amerikan.

Ndërsa zbrita nga treni në Union Station dhe po i afrohesha hotelit ku më priste miku im dhe i shqiptarëve, edhe ai vetë me gjak shqiptari, ish-kongresmeni Joseph DioGuardi, përballë m’u shfaq madhështore ndërtesa e Kongresit amerikan, e dekoruar si kurrë më parë.

E stolisur për ditën më të rëndësishme kur shpërfaqet niveli më i lartë i demokracisë në shtetin më të fuqishëm të botës: inaugurimin e presidentit të ri të vendit.

Më kujtohet kur në një mbrëmje dimri të 20 janarit 2001 ishte hera e parë që ndiqja një ceremoni të inaugurimit të një presidenti amerikan.

I ulur në një divan, përballë televizorit, në shtëpinë e prindërve të mi, së bashku me ta. George Bush po merrte detyrën si presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Im atë kishte respekt për presidentin Clinton, për atë ç’ka ai bëri për Kosovën, por ishte entuziast edhe për presidentin e ri. “Familja Bush është mike e shqiptarëve”, më shpjegonte ai, me aq njohuri sa kishte nga politika ndërkombëtare.

Dhe në fakt fati e deshi vërtetë që nën administratën Bush dhe me mbështetjen e fortë të saj, Kosova të fitonte pavarësinë.

Unë e dëgjoja tërë kërshëri dhe isha i mahnitur nga madhështia që shoqëronte ceremoninë.

Gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, fati e deshi që të jetoja dhe punoja në kryeqytetin amerikan në kohën kur u mbajtën zgjedhjet dhe ceremonia e radhës e inaugurimit të një presidenti, dhe për herë të parë ta prekja nga afër si gazetar këtë moment solemn që me aq endje e ndiqja atë natë dimri, kur isha ende fëmijë.

Amerika mbetet vendi më madhështor në botë.

Nuk është parajsa që të gjithë fantazojnë në vendin tonë amë, por mbetet shëmbëlltyra e ushtrimit të demokracisë në formën më të lartë të saj.

Ndanë mosmarrëveshjeve mes politikanëve, diskutimeve të nxehta, akuzave dhe kundërakuzave që e shoqëruan sidomos fushatën e fundit zgjedhore për president, kur flitet për ceremoninë e inaugurimit, politika shkrihet në një trup të vetëm, trup që rehatohet qetësisht në shtratin e një demokracie të konsoliduar e që e mban këtë vend të bashkuar në parime prej më se dy qind e dyzet vitesh.

Në hollin e një prej hoteleve fare pranë Kongresit Amerikan takohem me Joe dhe bashkëshorten e tij Shirley.

Pa u zgjatur shumë, nisemi të tre së bashku për udhëtimin më mbresëlënës që mund të përjetohet kur flitet për politikë në SHBA.

DioGuardi, i cili është një prej njerëzve që ka punuar fort me Kongresin dhe me politikanët amerikanë për çështjen shqiptare, edhe pasi nuk ushtronte funksione politike, ishte tejet entuziast.

Është lloji i njeriut që mbahet gjallë nga politika dhe bashkëveprimi me njerëzit.

Nuk resht së foluri gjatë gjithë kohës dhe shpreh ngazëllimin e tij që ndodhet në Uashington këtë ditë, ndonëse ka marrë pjesë në shumë ceremoni të tilla.

Është entuziast edhe për fatin e shqiptarëve.

Ndonëse nuk mund të japë një parashikim për politikën e administratës së re, si një ish-kongresmen republikan dhe me njohje të gjera në Kongres, është besimplotë se do të ketë një bashkëpunim të frytshëm me ligjvënësit amerikanë në të mirë të çështjes shqiptare.

“Sot do të dëshmojmë se si Amerika e transferon pushtetin nga një administratë te tjetra në mënyrë paqësore dhe këtë nuk e sheh në vende të tjera. Kemi të bëjmë me vlerat e vërteta të demokracisë. Amerika e tregon se është vend i madh dhe unë as që e çoj ndërmend se politika amerikane do të ndryshojë në lidhje me shqiptarët. E bukura e këtij sistemi është se fuqinë më të madhe e ka Kongresi dhe fatmirësisht në Kongres ne kemi shumë miq të mirë me të cilët do të punojmë ngushtë”, – më tregon Joe teksa nxitojmë për të shkuar në sektorin ku jemi caktuar për të ndjekur ceremoninë.

Falë statusit të tij si ish-kongresmen, ia dalim të mbërrijmë më shpejt në destinacion.

Kongresi amerikan është një kompleks gjigant godinash, dhe jo vetëm ndërtesa përrallore që gjithkush prej nesh e ka parë së pari të ngrihet madhështore në Capitol Hill.

Ne ndodhemi në pjesën veriore të saj, aty ku janë zyrat e Senatit Amerikan.

Na duhet të kapërcejmë krejtësisht në anën e kundërt, atje ku janë zyrat e Dhomës së Përfaqësuesve, ku aty pranë është edhe vendi ynë në ceremoni.

Falë kredencialeve të Joe, si ish-kongresmen arrijmë të kalojmë pa asnjë problem të gjitha pikat e sigurisë, pa iu nënshtruar madje as kontrolleve të rrepta të forcave të sigurisë.

Futemi në pjesën e brendshme të Kongresit amerikan, ku një tren i vogël na çon në destinacion.

Një labirint i madh, që gjithkush do të humbiste nëse do të ndodhej i vetëm aty për herë të parë.

Por, ja ku shumë shpejt dalim në anën tjetër dhe i afrohemi zonës ku duhet të vendosemi.

Shumë njerëz kanë mbërritur më herët. Përpara na shfaqet podiumi madhështor ku do të zhvillohet ceremonia.

Nën kubenë madhështore të Kongresit shpalosen disa flamuj gjigantë të SHBA-së, me të kuqe, blu dhe të bardhë dhe poshtë tyre janë vendosur disa kore të ndryshme muzikore.

Ca më poshtë, në sheshpushimin qendror të pjesës ballore-perëndimore të Kongresit është përgatitur gjithçka për ceremoninë.

Aty do të qëndrojnë të pranishmit kryesorë, presidenti i ri me bashkëshorten dhe familjen; zëvendëspresidenti i ri, ish-presidentët.

Kongresmenë dhe diplomatë janë caktuar të qëndrojnë në disa platforma të lëvizshme, të ngritura prej ditësh në të dy krahët e sheshpushimit.

Poshtë tyre qëndron banda muzikore. Gjithçka duket aq mirë e organizuar dhe aq përrallore.

E njëjta gjë vërehet edhe në radhët e para të të pranishmëve, ku po qëndron edhe grupi ynë. Organizimi ngjan i përsosur.

Tutje në parkun kombëtar të Uashingtonit, të humbet shikimi në horizont nga turma e pafund e njerëzve.

Mund të shquash qindra mijëra njerëz që ngjasojnë me një ushtri të periudhës mesjetare, e ndarë në radhë e sektorë, e gatshme për të nisur një betejë epike.

Epike është ceremonia, por është epizëm i demokracisë dhe jo i luftës.

Me përpikmërinë e një ore zvicerane, në orën 11:30, sipas kohës lokale të Bregut Lindor të SHBA-së, nis ceremonia.

Presidenti zgjedhur Donald Trump hyn triumfal në podium.

Nga radhët e para të njerëzve ku po qëndrojmë mund të shquajmë fytyrën e tij karakteristike: serioze dhe me çehren e një njeriu që nuk mund ta fshehë ndjesinë e triumfuesit.

Më herët, kanë hyrë në skenë ish-presidenti Jimmy Carter, çifti Bill dhe Hillary Clinton, George dhe Laura Bush, Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle, zëvendëspresidenti Biden dhe zëvendëspresidenti i zgjedhur Mike Pence.

Është pikërisht Pence, i cili me emocione të dukshme betohet i pari.

Në mesditë, në orën 12:00, nën udhëzimin e kreut të Gjykatës Supreme John Roberts, Donald John Trump betohet si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas, siç tradicionalisht ndodh, presidenti i ri mban fjalimin e tij të parë si kryetar i shtetit, për të cilin nuk munguan as kritikat më vonë.

Në fakt, ngjante sikur Trump ishte ende në fushatë zgjedhore dhe nuk nguroi as të thumbonte paraardhësin e tij Obama kur tha se tashmë ka ardhur koha e veprimit dhe jo e fjalëve, siç ka ndodhur gjer tani.

Ndonëse disi më i moderuar, sërish, Trump nuk iu shmang retorikës së tij radikale që ka shoqëruar çdo dalje të tij publike në këto 18 muajt e fundit.

Amerika dhe amerikanët, sipas presidentit të ri, do të jenë në qendër të vëmendjes së administratës së tij, ashtu siç do të jetë mbrojtja e kufijve të SHBA-së dhe lulëzimi i ekonomisë së saj.

Dhe në fund edhe zotimi i tij i madh: Do ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri.

Në momentin që Trump u betua, vetëm një çast, për disa sekonda, dielli shndriti mbi qiellin e Uashingtonit, duke rrezatuar edhe kubenë e Kongresit.

Më pas nisi një shi i imët, por që shoqëroi tërë fjalimin e presidentit të ri.

A ishte kjo një shenjë që presidenca e Trump do të shohë ditë me diell apo me shi…?

Kjo mbetet për t’u parë./mapo.al/