Molliqaj: Sondazhi krejt i saktë

Aktuale March 23, 2017 - 21:22

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se sondazhit të fundit që e nxjerr VV-në partinë më të madhe në vend po i jepen dimensione tjera, nga faktorë të ndryshëm, duke theksuar se ai është i besueshëm.

Ai ka deklaruar se sondazhi është krejt i saktë, por nga ai nuk mund të nxirret ideja që Vetëvendosja i fiton zgjedhjet, por se në një moment të caktuar disponimi qytetar ka qenë i kësaj forme, njofton Klan Kosova.

“Jemi të bindur që rezultati i cili ka dalë nga sondazhi është një matje reale, por megjithatë është vetëm matje e opinionit publik. Ne nuk kemi thënë se Vetëvendosja i fitoi zgjedhjet, por ne kemi thënë që me këtë matje, me këto parametra dhe me këtë datë, është ky rezultat”.

Nga ana tjetër, sociologu Artan Muhaxhiri ka deklaruar se nga të tri fushat e këtij sondazhi, efekti mediatik është arritur krejtësisht, ndërsa ka dhënë kritikat e tij për anën profesionale të këtij sondazhi.

“Janë tri elemente në këtë sondazhin e prezantuar nga Vetëvendosje. Ai mediatik, politik dhe profesional. Në aspektin mediatik, qëllimi është arritur 100 për qind. Ka tri ditë që po flasim për të dhe është bërë temë kryesore. Sa i përket aspektit politik, ndoshta duhet të bëhet një sondazh tjetër për ta identifikuar ndikimin e tij në elektorat. Ndërsa në aspektin profesional, sondazhi e ka krijuar një precedent jo të mirë, sepse aspekti profesional duhet të ndahet prej atij politik”.

“Nëse sondazhi prezantohet nga një eksponent i lartë politik, kjo nuk i bën mirë fushës së sondazheve, sepse i asocon ato me tendencën e manipulimeve politike”.

“Prezantimi i rezultateve duhet të bëhet nga profesionistët e sondazheve, kurse interpretimi i tyre është më shumë politik… Në këtë rast ka ndodhur një prezantim politik i sondazhit”.

“Kur një sondazh bëhet publik, ai ka ndikim në opinion. Prandaj, duhet të ketë gatishmëri nga ana e realizuesve dhe prezantuesve të sondazhit që t’iu përgjigjen pyetjeve që kanë të bëjnë me të. Është dashur të paraqiten edhe grafikone tjera për mënyrën e shpërndarjes së votës, sepse kështu do të fuqizohej besueshmëria”.

Molliqaj ka insistuar se matja është krejtësisht e saktë dhe profesionale, duke theksuar se kompania që e ka realizuar ka besueshmëri në këtë sferë.

“Vetëvendosja nuk bën sondazhe, sepse nuk ka kapacitete dhe do të ishte e anshme. Ne po ashtu nuk kemi marrë pjesë me metodologjinë. Çfarë kam prezantuar unë ka qenë metodologjia, mostra edhe sa është përfaqësuese, dhe i kam dhënë të gjitha shifrat. Sondazhi është profesional. Rezulton që kompania UBO Consulting është shumë kredibile nga matjet e kaluara që kanë bërë. Sondazhi nuk lidhet me zgjedhjet, por thejsht kemi marrë pjesë në këtë projekt të kësaj kompanie”.