Hoxhaj thirrje mërgatës: Kosova ka nevojë për drejtim të ri, zëri i mërgatës duhet të dëgjohet [video]
Ish-deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar rëndësinë historike që ka pasur mërgata në periudhat më të rëndësishme për Kosovën.
Në një video-adresim të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se mërgata ka qenë gjithmonë mbështetje e fuqishme për Kosovën, që nga lufta për liri e deri te procesi i shtetndërtimit.
“Ka filluar regjistrimi për zgjedhjet e 7 qershorit dhe ju ftoj që të regjistroheni. Mërgata historikisht e ka mbështetë Kosovën në luftën e saj për liri e pavarësi dhe shtetndërtimin tonë”, deklaroi Hoxhaj.
Ai kritikoi gjendjen politike në vend, duke thënë se Kosova është bllokuar nga një qeveri dhe shumicë parlamentare e papërgjegjshme.
“Kosova është bllokuar në vitet e fundit për shkak të një qeverie dhe shumice parlamentare të papërgjegjshme. Kosova ka nevojë për drejtim të ri për seriozitet dhe për besim”, u shpreh ai.
Në fund të adresimit, Hoxhaj u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe ta dëgjojnë zërin e tyre përmes votës.
“Ne kemi nevojë që zëri juaj të dëgjohet. Regjistrohuni dhe votoni!”, përfundoi Hoxhaj.