Basha: Fund tiranisë!

Aktuale March 26, 2017 - 14:30

Edhe në ditën e 37 të protestës, Lulzim Basha është kujdesur për të përçuar mesazhin se “çadra e lirisë”, sic demokratët e kanë pagëzuar, ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Amerika është me ne, Europa është me ne, miqtë dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore”, deklaroi kreu i PD-së.

I ashpër u tregua Basha kur iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe atyre që ai i cilësoi mercenarë të huaj dhe shqiptarë që flasin kundër zgjedhjeve të lira.

“Sot, nga ky shesh, dua t'i them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe mercenarëve të tij të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre që me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, se Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik dhe kjo është tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani”, u shpreh Basha.