Zgjedhjet, Nishani dekreton 25 Qershorin

Aktuale May 21, 2017 - 20:41

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani dekretoi sot 25 Qershorin si datën e re të zgjedhjeve, për të cilën u ra dakort në marrëveshjen e pak ditëve më parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.

Po më datë 25 Qershor do të zhvillohen dhe zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

Në tekstin që shoqëron dekretet, presidenti Nishani shpjegon se vendimi i tij vjen në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit zgjedhor si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të shumicës dhe opozitës.

Po sot Parlamenti njoftoi, se me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, nesër pasdite do të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme, me një rend dite që mbështetet në pikat e marrëveshjes politike.

Parlamenti do të miratojë fillimisht ndryshimet në qeveri, si dhe zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës zgjedhore, i cili po nesër do të paraqesë një paketë ndryshimesh ligjore, të cilat do të kenë të bëjnë kryesisht me financimin e partive dhe ashpërsimin e masave për veprat penale që lidhen me zgjedhjet.

Po ashtu opozita do të paraqesë kandidaturat e saj për anëtarët e komisioneve që lidhen me procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Deputetët do të votojnë dhe për kreun e ri të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve i cili i kalon opozitës, dhe një anëtar të këtij komisioni. /VOA/