Beqaj: Pas këtyre zgjedhjeve, mund të shkohet sërish në zgjedhje

Aktuale May 21, 2017 - 21:05

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) së bashku me partitë që ka lidh koalicion parazgjedhorë, kanë vendosur që kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 11 qershorit të jetë, Avdullah Hoti.

Mirëpo, analistët janë skeptik që ai mund të bëj ndonjë ndryshim, apo të pritet diçka e re nga ai.

Sipas, analistit të njohur, Belul Beqaj në një prononcim për Indeksonline thotë se nuk beson që ai mund të bëj ndonjë ndryshim, apo të pritet diçka e re nga ajo. Kjo, për shkak se, sipas tij, Mustafa është kujdesur që nga partia e tij të kandidojë njeriun më të afërt të tij.

“S’do mend se Abdullah Hoti ishte në rendin e bashkëpunëtorëve më të afërt të z.Mustafa. Afërsia e madhe me të dhe mbështetja e pakontestueshme e  politikës së Mustafës, atë e bënë të hendikepuar karshi atij blloku të LDK-së ,që publikisht dhe në heshtje, nuk e ka përkrahur koalicionin me PDK-në. Për këtë arsye mund të ndodhë që aftësia e tij profesionale  të jetë  në hije karshi afërsisë  që e ka me politikën dhe liderin partiak. Së dyti, ky propozim  mund të kuptohet edhe si vazhdimësi e  politikës së pa përfunduar të Mustafës, e cila nuk është përkrahur unanimisht nga anëtarësia e LDK-së. Nëse do të ketë koalicione parazgjedhore, ky propozim, mund të jetë si “kokë turku” në tregtinë eventuale me partneret e ardhshëm të koalicionit”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, kandidatura e tij nuk do ndihmojë në ngritjen e LDK-së në këto zgjedhje, pasi Hoti nuk është një personalitet që imponohet.

Beqaj numëron edhe disa arsye tjera të cilat mund t’ia vështirësojnë atij mbështetjen nga elektorati.

“Realisht, çdo propozim që vjen nga lideri që e ka mashtruar elektoratin e vet nuk mund të ketë përkrahjen absolute, aq më parë kur Hoti ,nuk është personalitetet që imponohet në opinion. Fundja ,duke marr parasysh se si do të zhvillohet fushata ,nga burimet e  ndryshme, kryesisht të partnerëve  opozitar, mes siguri do të fillojnë të dalin  në sipërfaqe edhe të pa thënat nga karriera  dhe jeta e tij. Te gjitha këto, do të vështirësojnë mbështetjen e  tij nga elektorati”, ka shtuar Beqaj.

E sa i përket koalicioneve parazgjedhore të LDK-së me partitë e tjera, sipas Beqajt problemi serioz është se interesi i liderëve po dominon interesin publik.

Për këtë arsye, ai nuk e përjashton mundësinë që pas këtyre zgjedhjeve të shkohet sërish në zgjedhje.

“Koalicionet  zgjedhore e kanë një problem serioz. Interesi liderëve po dominon interesin publik. Mund të ndodhë që si pasojë e këtij kursi të mos krijohet koalicioni qeveritar. Prandaj nuk e përjashtoj mundësinë që pas këtyre zgjedhjeve të shkohet sërish në zgjedhje”, ka thënë më tej ai.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka lidhur koalicion parazgjedhore me Aleancën Kosova e Re, Alternativën dhe me Lëvizjen për Drejtësi, të cilat janë pajtuar që Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

Alternativa pasi nuk ka arritur të regjistrohet si parti politike, ajo do të garojë nën logon e LDK-së.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen më 11 qershor.