Specialja kërkon 'ngrirjen' e VMRO-DPMNE-së

Aktuale September 18, 2017 - 23:05

Prokuroria Speciale sot para Gjykatës Supreme sqaroi se pse duhet të revidohet vendimi i Gjykatës Shkupi 1, që mos ta ngrijë selinë e VMRO-DPMNE-së.

Hipoteka mbi pallatin e bardhë në qendër të qytetit është vendosur pas zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor të vitit të kaluar. Prokurorja tha se VMRO-DPMNE-ja do të ketë dobi nga ngrirja e pronës, pasi në këtë mënyrë do të pengohej dëmtimi i mëtutjeshëm i saj.

Gjykata Penale fillimisht refuzoi të gjitha kërkesat pasi pohonin se nuk kemi dorëzuar incizime.

Në këtë aspekt ne bëmë përpjekje, dorëzuam në mënyrë plotësuese edhe incizime pranë gjykatës, me atë që herën e dytë nuk i përsëritëm të gjitha 12 kërkesat, por dorëzuam vetëm një të tillë, thjesht për arsye ekonomike, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për material voluminoz.

Vendimi i dytë i cili është marrë, konsiderojmë se bie ndesh me shumë dispozita ligjore, siç është ligji i marrëdhënieve obligative, ligji për furnizime publike dhe më i rëndësishmi, ligji për financimin e partive politike- deklaroi Lençe Ristovska, PSP.

Ristovska hodhi poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së ndaj Speciales se kjo prokurori në çdo mënyrë po tenton ta pengoj këtë parti që të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Absolutisht pohimet e këtilla janë të pavërteta, disa herë jemi distancuar nga deklarata politike dhe këtë do ta bëjmë edhe tani. Dua të them se ngrirja e pronës është vetëm e përkohshme- theksoi Lençe Ristovska.

Ndryshe, ngrirja e selisë së VMRO-DPMNE-së kërkohet në rastin “Talir”.

Krerët e kësaj partie në krye me Nikola Gruevskin dyshohen se kanë bërë larje të parave dhe kanë mundësuar financimin joligjor.

Për gjashtë vite, më saktë në periudhën 2009-2015 në arkën e partisë janë paguar thuajse 5 milion euro.

Fletëpagesat janë mbushur me shkrim të njëjtë dhe interval të njëjtë kohor, ose nga 2000 euro për çdo ditë.

Specialja nuk arriti që në afatin ligjor prej 18 muajve të ngrej aktakuzë për këtë rast.