LDK-ja akuzon ish-opozitën për dështimin në UNESCO, qeverinë e re për atë të INTERPOL-it

Aktuale September 21, 2017 - 20:53

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka akuzuar opozitën e legjislaturës së kaluar për dështimin në UNESCO, dhe shumicën e kësaj legjislature për heqjen dorë nga kandidimi për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

“Siç ndodhi me UNESCO-n në vitin 2015, me veprimet tona e bëmë të pamundur anëtarësimin edhe në INTERPOL. Atëherë me gazlotsjellës në Kuvend dhe protagonizëm amatoresk nga ish-drejtuesit e MPJ-së. Tash, duke hyrë në zgjedhje për t'ia realizuar ambiciet një individi, i cili u dorëzua rrugës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Vendimi i Haradinajt për ‘të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol’, është dorëzim dhe dështimi i radhës i kësaj Qeverie, e cila na i humbi 3 muaj të vlefshëm për lobim duke u marrë me ‘shitblerje’ deputetësh. E hodhën poshtë punën kolosale të kryeministrit Mustafa dhe ministrit Hyseni, duke mos pas guxim e autoritet për ta shtyrë përpara këtë vendim të madh”, thuhet më tej në reagim.

LDK thotë se tash pret se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave, me demarkacionin, me asociacionin, me krijimin e Ushtrisë që, siç thotë në reagim, u dëmtua për shkak të protagonizmit pa frerë.

“‘Na duhet qeveri që merr vendime të mëdha’, thoshin dikur ata që sot janë strukur zyrave, e po dështojnë në çdo hap”, thuhet në reagim.