Ajri që po vret kosovarët

Aktuale November 15, 2018 - 08:02
Lexo tjera detaje
Image

Gjatë kësaj jave, duke u bazuar në monitorimet e cilësisë së ajrit të lëshuara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, cilësia e ajrit në Prishtinë ka qenë e pashëndetshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me uljen e temperaturave  edhe këtë vit ndotja e ajrit në Kosovë ka shënuar rritje të madhe, duke e radhitur kështu Kosovën ndër vendet e para të botës për ndotjen e ajrit.

Para dy ditësh Prishtina është radhitur e katërta në botë për nivelin më të lartë të ajrit të ndotur. Për këtë shkak drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësinë Publike, Naser Ramadani, ka bërë apel që banorët e Prishtinës të rrinë në shtëpi dhe të mos i ekspozohen ajrit të ndotur. “Sonte qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave”, ka shkruar Ramadani në rrjetin e tij social “Facebook”.

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit ka shtuar edhe numrin e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilëve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Pulmologu në Klinikën e Mushkërive në QKUK, Bahri Thaçi, ka thënë për “Zërin” se pritet që ditëve në vijim të ketë fluks edhe më të madh të pacientëve. “Kemi pasur raste, është vërejtur menjëherë se është rritur numri i pacientëve, sidomos ata që janë me sëmundje kronike pulmonare. Ajri i ndotur po ndikon në përkeqësimin e pacientëve dhe në riaktivizimin e sëmundjeve. Është vetëm fillimi, kjo varet se sa i eksponohen ajrit të ndotur, pra se sa gjatë po i eksponohen atij. Ditëve në vijim presim të ketë fluks edhe më të madh të pacientëve”, ka thënë ai.

Sipas tij në momentin që pacientët, të cilët tashmë janë të prekur me ndonjë sëmundje, u ekspozohen ajrit të ndotur, atëherë edhe gjendja e tyre përkeqësohet. “Me një kujdes të madh, me paraqitjen me kohë te mjeku nuk paraqet ndonjë rrezik për jetë, por shëndetin realisht e përkeqëson sepse këta pacientë jetojnë të varur nga barnat, por kur e marrin terapinë me rregull sëmundja futet nën kontroll dhe nuk krijon shqetësime të mëdha, por kur i eksponohen ajrit të ndotur, atëherë ata përkeqësohen dhe duhet t’u shtohet doza e këtyre barnave dhe duhet t’i shtohet edhe ndonjë bari”, ka theksuar ai.

Thaçi e ka konsideruar të nevojshme që personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike të mos rrinë në Prishtinë derisa niveli i ajrit të ndotur është i lartë. “Kryesisht ajri i ndotur është në Prishtinë. Ata që kanë sëmundje kronike dhe kanë mundësi të ndërrojnë vendbanimin, mënyra më e mirë është që të largohen prej këtyre grimcave të cilat janë në ajër dhe që pa dëshirën e tyre janë të detyruar t’i thithin ato”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër drejtoresha në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku, ka thënë për gazetën se nuk ka ndonjë ndryshim në fluksin e fëmijëve që kanë ardhur për trajtim në këtë klinikë. Sipas saj, gjendja është e zakonshme.

Sa i përket nivelit të lartë të ajrit të ndotur në Prishtinë Arif Krasniqi, kryetar i organizatës “Eko Lëvizja e Gjelbër”, ditë më parë ka thënë për “Zërin” se qytetarët e Prishtinës më shumë po thithin pluhur sesa ajër. Ai kishte konsideruar se si ndotës kryesorë të ajrit janë termocentralet, veturat e vjetra, si dhe ngrohja me thëngjill të cilësisë së dobët.

Një studim i vitit 2013 nga Banka Botërore kishte treguar se ndotja e ajrit në Kosovë është vlerësuar se shkakton 852 vdekje të parakohshme dhe 318 raste të reja të bronkitit kronik çdo vit./ZËRI