Skenderaj: Vetëm një ofertues për ndërtimin e stacionit të autobusëve

Skenderaj: Vetëm një ofertues për ndërtimin e stacionit të autobusëve

Aktuale December 07, 2019 - 08:10
Detajet
Image

Ofertuesi i vetëm që është paraqitur në ankandin publik të Komunës së Skenderajt për ndërtimin e stacionit të autobusëve në pronë komunale prej 1.08.00 hektarësh ka ofruar 1.5 milion euro investime, si dhe punësimin e 50 personave. Komuna përfiton 21 për qind ose 315 mijë euro. Nura: Me këtë ofertë Komuna fiton 400.000 euro, ndërsa humb 2.700.000 euro, shkruan sot gazeta "Zëri".

Stacioni i Autobusëve në Skenderaj, i cili ishte pjesë e “Kosovatrans”-it, është i vetmi në Kosovë që është privatizuar nga atëherë AKM-ja, tani AKP-ja, për jo më shumë se 470 mijë euro. Pronarët e rinj për më shumë se 5 vjet i janë përmbajtur krejtësisht kontratës dhe nuk ia kanë ndryshuar destinimin, por para një viti këta të fundit kishin vendosur që në vend të stacionit të autobusëve ta ndërtojnë një objekt afarist, derisa kishin lajmëruar Komunën që të përkujdeset për ta zgjidhur problemin me autobusët, të cilët për një kohë kishin mbetur rrugëve. Situatë e njëjtë ishte edhe para ardhjes së qeverisjes së Bekim Jasharit, andaj pushteti i kaluar kishte vendosur që hapësirën e ish-“Tregut të Gjelbër” ta shndërrojë në stacion të autobusëve, por kjo nuk ishte e nevojshme, pasi që stacioni i vjetër me pronarë të rinj ende funksiononte.

Fadil Nura, ish-nënkryetar i Skenderajt dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin menduar që Komuna të ndërtojë stacionin të ri të autobusëve, si dhe ta themelojë një ndërmarrje publike, që do ta administronte dhe të menaxhonte me të. Madje Kuvendi i kaluar i Skenderajt kishte vlerësuar se “me pak para” Skenderaj sërish do të bëhej me stacion të autobusëve.

Komuna jep 1.08.00 hektarë tokë për 99 vjet, përfiton 315.000 euro

Sikurse qeverisja e kaluar nuk kishte menduar ajo e tashmja, e cila udhëhiqet nga Bekim Jashari. Kryetari Jashari kishte vendosur që autobusët, të cilët kishin mbetur rrugëve, t’i akomodonte në hapësirat e ish-Tregut, por paraprakisht duke marrë leje nga ish-pronarët, që në fakt është një familje nga Klina e Poshtme e Skenderajt. Autobusët janë vendosur me marrëveshje me këtë familje, ndërkohë Komuna e Skenderajt duhet të ndajë një hapësirë prej 1 hektar e 8 arësh për ndërtimin e stacionit të ri në afërsi të Tregut të ri. Komuna ka hartuar edhe projektin, të cilit duhet t’i përmbahet secili investitor që është i interesuar për të investuar.

Kuvendi kishte shpallur ankand publik për dhënie me koncesion të pronës komunale në shfrytëzim për 20 plus 10 vjet, por nuk ishte asnjë të interesuar. Duke parë se nuk ka të interesuar, Kuvendi i Skenderajt pati vendosur që pronën ta japë në shfrytëzim për 99 vjet dhe në këtë mënyrë ka shpallur ankandin tjetër publik, por është paraqitur vetëm një ofertues, i cili nëse i përmbush kriteret e parapara do ta fitojë ankandin, për çka definitivisht do të dihet të mërkurën, kur do të mblidhet Komisioni. Oferta e tij është investimi prej 1.5 milion eurosh, si dhe 50 të punësuar, ndërsa Komuna e Skenderajt do të përfitojë 21 për qind, ose 315.000 euro. Gazeta “Zëri” është përpjekur të dijë se cili është ofertuesi i vetëm që dëshiron ta marrë pronën publike të Komunës në pronësi të vet, pasi që 99 vjet secilit i duket kohë e mjaftueshme për t’u ndier si pronar i përhershëm, por asnjëri nga anëtarët e Komisionit nuk ka qenë i disponuar të tregojë emrin e tij ose kompaninë e vetme që ka ofertuar. Një anëtar i Komisionit Komunal për shqyrtimin e ofertave në kushte anonimiteti i tha “Zërit” se ankandi publik mund të zhvillohet edhe me vetëm një ofertues, me kushtin që ai t’i plotësojë të gjitha kriteret.

Nura: Komuna fiton 400.000 euro e humb 2.700.000

Në anën tjetër, kundër kësaj ideje ka dalë Fadil Nura, ish-nënkryetar i Skenderajt dhe deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, i cili ka vlerësuar se aq sa është i nevojshëm ndërtimi i një stacioni të ri, aq është e nevojshme mënyra e administrimit dhe menaxhimi i ofrimit të shërbimeve publike, që kërkohen brenda projektit. “Në kohën e administrimit të UNMIK-ut AKM-ja ishte autoritet autonom dhe legjislacioni i asaj kohe e pamundësonte ndalimin e privatizimit edhe atëherë kur prona shfrytëzohej me destinim ofrimin e shërbimeve publike. Tani është e habitshme mënyra e iniciativës së Komunës për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet, përkatësisht privatizimi i 1.08.00 hektarëve tokë, pronë komunale e destinuar për ofrimin e shërbimeve publike në kompensim të ndërtimit të këtij stacioni. Iniciativa e tillë, pa një analizë mbi arsyeshmërinë e interesit publik ose përfitimit ekonomik të Komunës, është në kundërshtim të plotë me Nenin 5, parag. 1.3. të Ligjit Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme Komunale.

E një vlerësim i thjeshtë e pasqyron qartë këtë, për faktin se: një (1) ar tokë në zonën e parë – Qendër, sipas vlerësimit të fundit (para tri vjetësh) nga Agjencia e Vlerësimit të Pronave – MEF, është vlerësuar në vlerën prej 25.000.00 eurosh, prandaj sipërfaqja prej 1.08.00 hektarësh e propozuar për dhënie në shfrytëzim për 99 vjet mban një vlerë jo me të vogël se dy 2.700.000.00 euro. Andaj një aset publik me një vlerë të tillë prej dy milionë e shtatëqind mijë eurosh (2.700.000.00 euro) të jepet në privatizim, në kompensim të ndërtimit të një projekti ideor të padetajuar, me 21 për qind interes të vlerës së sipërfaqes së ndërtuar, vlera e të cilit në total sillet rreth 400.000.00, projekt i cili gjithashtu do të mbetet në pronësi private, është fakt i mjaftueshëm për të vërtetuar se kjo iniciativë, me ose pa qëllim, është në kundërshtim me interesin publik të Komunës”, ka thënë Nura, duke vlerësuar se “Skenderaj, me një stacion të trashëguar, i cili është privatizuar nga ish-AKM-ja, do ta ketë një stacion të privatizuar nga vetë Komuna dhe krejtësisht në dëm të saj”.

Dy alternativa që stacioni i autobusëve të ndërtohet me buxhetin e Komunës

Nura ka zbuluar dy alternativa, siç thotë ai, “plotësisht të ligjshme dhe në funksion të interesit publik” për ndërtimin e stacionit të autobusëve.

“E para, ndërtimi të bëhet me buxhet vetanak të Komunës, ngase një projekt i tillë nuk ka një kosto të lartë dhe nuk paraqet ngarkesë për buxhetin komunal, (afërsisht 15 për qind e buxhetit vjetor nga kategoria e investimeve kapitale), ndërsa administrimi dhe menaxhimi të bëhet përmes themelimit të një ndërmarrjeje publike lokale, në përputhje me Ligjin 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, (plotësim-ndryshimet e Ligjit Nr. 04/L-111 dhe të Ligjit Nr. 05/L-009), ashtu siç i kanë komunat tjera. E dyta, ndërtimi, administrimi dhe menaxhimi të bëhet përmes dhënies në shfrytëzim të pronës komunale në afat jo më të gjatë se 25 vjet, duke adresuar kritere të qarta optimale në interes të Komunës sipas destinimit të pronës së përcaktuar në PZHK - PZHU, si në ndërtim, ashtu edhe në administrim dhe në menaxhim të ofrimit të shërbimeve publike në përputhje me përmbajtjen dhe në frymën e Ligjit Nr. 04/L-045 për Partneritet Publiko-Privat”, ka sqaruar ish-nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura./ZËRI