Kurti: Bandat fashiste nuk mund të hyjnë në zyrat e kryetarëve
Foto: Laura Hasani

Kurti: Bandat fashiste nuk mund të hyjnë në zyrat e kryetarëve

Aktuale April 19, 2024 - 11:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth procesit të referendumit që të dielën e 21 prillit pritet të mbahet në komunat veriore.

Kurti tha se në zyrë nuk mund të hyjnë bandat fashiste.

“Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda kriminale e fashiste që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe policinë. Me zgjedhje hyhet në zyrë. Nuk hyhet në zyrë me bomba, granata dhe me armë të tjera që janë sulmuar personeli i sigurisë dhe gazetarët”, tha ai.

I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se në rast se 50+1 për qind e qytetarëve do të votojnë pro largimit të kryetarëve, ata nuk do të jenë më.

“Për çështjen e zgjedhjeve të cilat do të mbahen në katër komunat veriore të vendit, më 21 prill, pra të dielën e kësaj jave prin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës është në shërbim të tyre. Nga ana jonë është vullneti që të mbahet ky votim dhe në komunat të cilat 50+1 për qind e qytetarëve do të votojnë për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve të komunave ne do të jemi garancion që kjo do të zbatohet në plotni dhe me shpejtësi. Dhe më pas le t’i kemi zgjedhjet ku do t’i ndërrojmë këta kryetarë të komunave”, tha ai, transmeton klankosova.

Kryeministri këto deklarime i bëri në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Kjevë – Dollc.