Osmani në Këshillin e Sigurimit, e shoqëruar nga katër gra heroina nga Kosova [video]

Osmani në Këshillin e Sigurimit, e shoqëruar nga katër gra heroina nga Kosova [video]

Aktuale April 22, 2024 - 14:32

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, gjenden në Amerikë, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Osmani krah grave heroina tha se në këtë mbledhje do të sigurohen të dëgjohet zëri i qytetarëve të Kosovës, të dëshmojnë se si Kosova vërtet është storje suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificave të jashtëzakonshme, njofton Klankosova.tv.

“Jemi në Nju-Jork, prapa nesh është ndërtesa e Kombeve të Bashkuara. Jam bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, me katër heroina të cilat janë simbol i forcës, simbol i guximit, simbol i mbijetesës së sukseseve të Republikës sonë. Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ne do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë, që të dëshmojmë si Kosova është vërtetë storje suksesi, përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Do të sigurohemi që të tregojmë edhe për rreziqet e vazhdueshme të sigurisë me të cilat ne po përballemi për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë. Do ta rrisim dhe përsërisim kërkesën tonë për drejtësi”, tha Osmani.

“25 vjet pas luftës akoma nuk ka drejtësi për 13 mijë viktima, nuk ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara nga forcat serbe, për mijëra fëmijë që janë vrarë dhe nuk ka përgjigje për mijëra të zhdukur me dhunë. Do të sigurohemi që e vërteta të dëgjohet dhe të mbrohet”, u shpreh tutje e para e vendit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit nis nga ora 16:00 me kohën tonë.