Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë, s’do të ketë më kufizime
Foto: Laura Hasani

Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë, s’do të ketë më kufizime

Aktuale April 24, 2024 - 12:31

Nga sot Komuna e Prishtinës ka anuluar orarin për punën e barnatoreve në kryeqytet dhe më nuk do të ketë kufizime, siç kishte deri tani.

Vendimin e ka bërë të ditur asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, i cili tha se vendimi ka ardhur pas kërkesave të shumta të qytetarëve lidhur me kufizimin e orarit, transmeton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Sot anuluam orarin e barnatoreve - Më nuk do të ketë kufizime

Të nderuar qytetarë të Prishtinës, duke marrë parasysh ankesat e shumta të qytetarëve lidhur me kufizimin e orarit të punës së barnatoreve në kryeqytet, sot Kuvendi i Prishtinës me propozim të Grupit të PDK-së anuloi “Propozim-ndryshimin e Rregullores”, e cila kishte sjellë këtë kufizim.

Pacientët e kryeqytetit në vitin e fundit hasën në shumë vështirësi në furnizim me barna gjatë kujdestarisë, posaçërisht në situata emergjente dhe për pasojë ishin detyruar të furnizohen me këto barna nga barnatoret në komunën e Fushës-Kosovës ose Graçanicës.

Pas anulimit që u bë, PDK Prishtinë kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet te qytetarët.

Falënderojmë subjektet dhe asamblistët që mbështetën votimin e propozimit.