A e ka Asociacioni çelësin e Këshillit të Evropës?

A e ka Asociacioni çelësin e Këshillit të Evropës?

Aktuale April 24, 2024 - 17:15

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe - një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën - duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse planifikon ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese përpara datës 16 maj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Më 17 prill, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se themelimi i Asociacionit nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyyanis, të cilat Kosova i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 23 prill, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe diplomatike në Kosovë pajtohen se vendi duhet të bëjë “hapa pozitivë” për të mos rrezikuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës. /REL