“Kur jemi bashkë, arrijmë shumë” - Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE
Foto: Laura Hasani

“Kur jemi bashkë, arrijmë shumë” - Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

Aktuale April 25, 2024 - 11:56

Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka falënderuar opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bogujevci ka thënë se kjo tregon që kur janë ekip, arrijnë shumë.

“Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbetë pjesa finale, unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret, unë kam besim të plotë, por duhet shumë punë”, tha ajo.