Skocia shënon 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë me një fotodokumentar

Skocia shënon 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë me një fotodokumentar

Aktuale April 25, 2024 - 12:11

Një ekspozitë që shënon 25-vjetorin që kur forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, hyri në Kosovë, po mbahet në galerinë e bibliotekës “Elgin” në qytetin me po të njëjtin emër në Skoci të Mbretërisë së Bashkuar, nga 8-24 maj 2024.

Ekspozita fotodokumentare “KFOR dhe Kosova +25” i jep qasje të veçantë arkivit të fotografit Nick Sidle nga koha e tij në fazat e hershme të operacionit.

Nick ishte i përfshirë me disa njësi dhe bëri një regjistrim unik të punës së paqeruajtësve duke treguar trupa nga nëntë vende të ndryshme, duke përfshirë nëntëmbëdhjetë regjimente ose njësi individuale nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dy kontribuuesit më të mëdhenj në KFOR.

Ekspozita do të hapet në Moray nga Heartstone, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Highland, e cila prodhon histori përmes artit, letërsisë, shfaqjeve, ngjarjeve dhe më shumë.

“Vizitorët në ekspozitë do të mësojnë rreth rrethanave që çuan në vendosjen e KFOR-it pas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të dëshmojnë jo vetëm praninë ushtarake, por edhe një pamje të kohës së jetës në Kosovë në vitet 2000-2001. Instalacioni pason një prezantim të fotodokumentarit në Parlamentin Skocez dhe përpara ekspozitës së ripunuar që do të prezantohet në Kosovë dhe Londër më vonë gjatë vitit”, thuhet në një njoftim për media të Këshillit Moray.

Këshilltari i Forcave të Armatosura të Këshillit të Moray, Peter Bloomfield, ka udhëhequr fushatën për të dërguar ekspozitën në Moray dhe ka përvojë personale të ndërhyrjes në Kosovë.

“Në rolin tim si një kontrollues i trafikut ajror në RAF Bruggen në Gjermani, isha personi kyç për t’u siguruar avioni ynë nisej dhe kthehej shëndoshë e mirë ndërkohë që po zhvillohej fushata e bombardimeve të NATO-s gjatë natës. Afiniteti im me Kosovën ka mbetur me mua që atëherë dhe mendoj se shënimi i 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s është një mënyrë e përshtatshme për t’u bërë homazhe të gjithë atyre që u përfshinë në anën ushtarake dhe civile të fushatës”.

“Jam i kënaqur që Heartstone po e sjell këtë instalacion në Moray dhe inkurajoj sa më shumë njerëz që të vijnë dhe të shohin vetë veprën jashtëzakonisht të thellë të Nick Sidle”, u shpreh Bloomfield.

Sitakumari, Drejtore e Heartstone, shtoi: “Ky ishte një fotodokumentar i fuqishëm kur u prodhua për herë të parë dhe i tillë mbetet edhe tani, 25 vjet më vonë. Mesazhet e tij janë edhe më të rëndësishme sot. Bëhet fjalë për historinë njerëzore të jetesës në një zonë konflikti, punën e paqeruajtësve dhe shpresën dhe qëndrueshmërinë që mund të gjendet në rrethanat më të vështira. Do të frymëzojë të gjithë ata që e shohin atë”. /Klankosova