Osmani për fjalimin e Vuçiqit në KS të OKB-së: Ai bëri një sërë deklaratash postraumatike
Foto:UN

Osmani për fjalimin e Vuçiqit në KS të OKB-së: Ai bëri një sërë deklaratash postraumatike

Aktuale April 26, 2024 - 15:38

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është deklaruar rreth reagimit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për prezencën e katër grave heroina të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Osmani ka thënë se në Këshill është thënë vetëm e vërteta para syve të gjithë botës.

Sipas saj, të vërtetën nuk mundet ta sulmojë e mohojë askush, as Serbia.

“Ai ka bërë një sërë deklaratash postraumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne thjesht e kemi thënë të vërtetën, vetëm të vërtetën para syve të botës dhe nuk mundet askush ta sulmojë e as ta mohojë, e as Serbia. Të gjitha gjërat që kam thënë në seancë janë të gjitha të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vuçiqi tha se në mbledhjen e OKB-së janë sjellë njerëz që nuk janë pjesë e mbledhjes dhe se Osmani sipas tij i ka sjellë për ta fajësuar Serbinë. Ndërkaq, presidentja duke e quajtur përgjigjen e Vuçiqit propagandë tha se gratë e dhunuara në Kosovë janë avokate dhe kanë kapacitet për të qenë pjesëtare të kabinetit të saj. /Telegrafi