Abdixhiku: Fehmi Agani truri i lëvizjes për liri, vrasja e tij akt hakmarrjeje për triumfin tonë
Foto: Facebook

Abdixhiku: Fehmi Agani truri i lëvizjes për liri, vrasja e tij akt hakmarrjeje për triumfin tonë

Aktuale May 06, 2024 - 12:07

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kujtoi sot ish-nënkryetarin dhe deputetin e së njëjtës parti, Fehmi Aganin, në 25-vjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe.

Ai u shpreh se profesori mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare, transmeton Zeri.info.

“Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e presidentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare”, shkroi ai në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq ai tha se vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik.

“Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik; Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës”, shkroi ai.

Abdixhiku përfundoi duke thënë se në këtë përvjetor, së bashku me struktura nga mërgata kanë nderuam dhe kujtuam profesor Aganin te këndi i tij, që sipas tij tani është pjesë e pandashme e shtëpisë së madhe të demokracisë.

Postimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Profesor Fehmi Agani ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi.

Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e presidentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare. Maturia, urtësia e thellësia e mendimeve të tij, janë shenja të secilit kujtim që sot kemi për të.

Ai u vra 25 vite më parë, më 5 maj të vitit 1999. Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik; Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës.

Fehmi Agani u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i angazhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakul­tetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte krye­redaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patriotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie.

Në këtë përvjetor prej çerek shekulli, së bashku me struktura nga mërgata, nderuam dhe kujtuam profesor Aganin mu te këndi i tij, tani pjesë e pandashme e shtëpisë së madhe të demokracisë. /Zëri