Festa e Kurban Bajramit, myftiu Tërnava do t’u drejtohet besimtarëve me mesazh urimi
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava do t’u drejtohet opinionit publik dhe gjithë besimtarëve me një mesazh urimi.
Tërnava do t'u drejtohet qytetarëve nga salla e Fakultetit të Studimeve Islame, me fillim nga ora 11:00.
Nesër, e mërkurë, shënohet Kurban Bajrami, ndërsa manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
BIK-u ka njoftuar se manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj.
Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:40, të cilit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë myftiu Tërnava.