'Rilindja' 71-vjetorin e daljes nesër e shënon jashtë objektit të saj

Aktuale February 11, 2016 - 11:14

Sindikata e Pavarur e gazetës “Rilindja”, përmes një njoftimi bën të ditur se nesër, të premten, më 12 shkurt 2016, jashtë lokaleve të saj, do të shënojë daljen e numrit të parë të kësaj gazete në qytetin e Prizrenit, 71 vjet më parë.

Tubimi i punëtorëve do të mbahet në oborrin e Pallatit “Rilindja”, te shtatorja e Ismail Qemalit, në orën 12:00, me ç’rast drejtuesit e kësaj gazete do t’u flasin punëtorëve për përpjekjet që janë duke u bërë për realizimin e të drejtës së tyre për 20 përqindëshin, për pronat e tyre në Prishtinë dhe në Tiranë.

Sindikata ka ftuar të gjithë punonjësit e gazetës “Rilindja” , që të marrin pjesë në shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, i cili dëshmon traditën mbi 71 vjeçare të gazetarisë shqiptare në Kosovë, traditë kjo e cila veçohet me emrin përmbajtjesor të gazetës më të vjetër, “Rilindja”.

Gazetarisë sonë kjo gazetë i dha emra të shquar, veprimtarë politikë, shkrimtarë, gazetarë e redaktorë, por edhe dëshmorë, duke kontribuuar në vazhdimësi me informimin e saj të drejtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, thuhet në njoftimin e Kryesia e SP të gazetës “Rilindja”.