Shtëpia e Bardhë hedh poshtë pretendimet e Trumpit për 'votues të paligjshëm'

Bota November 28, 2016 - 21:01

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, se ai ka humbur votën popullore në zgjedhjet e 8 nëntorit, për shkak të parregullsive.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka prova që mbështesin pretendimet e Trumpit, i cili ka thënë se “ka fituar votën e popullit, nëse hiqen miliona njerëz që kanë votuar ilegalisht”.

Republikani, i cili ka fituar votën vendimtare të Kolegjit Zgjedhor, nuk ka ofruar ndonjë provë për pretedimet e tij, transmeton REL.

Komentet e Trumpit në Twitter kanë ardhur pasi kampi i rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, ka thënë se do të mbështesë rinumërimin e votave në Uiskonsin, të iniciuar nga kandidatja e Partisë së Gjelbër.

Clinton ka fituar rreth 2 milionë vota të popullit më shumë se Trumpi më 8 nëntor, por Trump ka siguruar 270 votat e Kolegjit Elektoral, të nevojshme për të fituar presidencën.