UNHCR: Vendet e Ballkanit i dëbojnë ilegalisht migrantët

Bota December 26, 2016 - 20:57

Dëbimet e paligjshme të migrantëve që bëjnë përpjekje të arrijnë në Evropë përmes së ashtuquajturës Rrugë e Ballkanit, janë në rritje, tha Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.

“Rreth 1,000 njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika janë dëbuar vetëm në nëntor”, tha për AFP-në zëdhënësja e UNHCR-së në Serbi, Mirjana Milenkovska.

Qindra-mijëra migrantë kanë marrë Rrugën e Ballkanit, sidomos përmes Maqedonisë dhe Serbisë, për të arritur në vendet e BE-së, derisa ajo është mbyllur në muajin mars.

Aktivistët dhe organizatat joqeveritare po ashtu kanë tërhequr vërejtjen se shumë migrantë, të regjistruar në mënyrë ligjore, janë dëbuar ilegalisht nga Serbia në Bullgari dhe Maqedoni.

Në Serbi ndodhen aktualisht rreth 7,000 migrantë.

Shumica janë të vendosur në 13 qendra zyrtare të pritjes, ndërsa rreth 1,000 flenë në qendër të Beogradt, tha Milenkovska, nga UNHCR. /REL/