Telefonata e fundit e Obamas me ‘Mikeshën speciale’

Bota January 20, 2017 - 22:54

Barack Obama zgjodhi një mikeshë speciale për telefonatën e fundit të tij si president ndaj një udhëheqësi të huaj, përpara se Donald Trump të bënte betimin dhe të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Në telefonatën e bërë të enjten, ish-presidenti Obama foli me Kancelaren gjermane Angela Merkel për të theksuar se marrëdhëniet e forta SHBA-Gjermani janë jetike për rendin botëror, në një kritikë të nënkuptuar ndaj Trumpit.

Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle biseduan me Merkelin dhe bashkëshortin e saj, profesor Dr. Joachim Sauer, ku shprehën “vlerësimet për miqësinë mes tyre dhe për përpjekjet për të krijuar një partneritet më të thellë mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara përgjatë 8 viteve të fundit”, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Ish-udhëheqësi amerikan dhe Merkel ranë dakord se bashkëpunimi “ishte thelbësor në sigurimin e një lidhjeje të fortë transatlantike, një rendi ndërkombëtar të bazuar mbi ligjin dhe mbrojtjen e vlerave që kanë sjellë kaq shumë progres për humanizmin në vendet tona dhe anembanë botës”.

Ish-presidenti falënderoi gjithashtu Merkelin për “lidershipin e saj të fortë, kurajoz dhe të qëndrueshëm”.

“Duke parë 8 vitet e miqësisë dhe partneritetit, Presidenti vuri në dukje se ishte e përshtatshme që telefonata e tij e fundit me një udhëheqës të huaj të ishte pikërisht me Kancelaren Merkel, së cilës i uroi më të mirën në të ardhmen”, informoi Shtëpia e Bardhë.

Ky reagim erdhi pasi Trumpi lëshoi një seri sulmesh ndaj Europës dhe Merkelit gjatë një interviste për dy medie europiane njëkohësisht, të dielën e kaluar./tch