Prishet sistemi “check-in”, kaos në aeroportet ndërkombëtare

Bota September 28, 2017 - 17:54

Pasagjerë të linjave ajrore në mbarë botën janë duke përjetuar probleme nëpër aeroporte, pas një rënieje (“crash”) të sistemit kompjuterik të “check-in”-it. Ngërçe raportohen në disa aeroporte, përfshirë ato “Heathrow” dhe “Gatwick” të Londrës, “Charles de Gaulle” në Paris, e situata të ngjashme raportohen në Zurich, Melbourne, Singapor e në aeroportin “Ronald Reagan” të Washington DC, raportojnë mediet britanike.

Udhëtarët janë përballur me radhë të gjata pritjeje që në mëngjesin e sotshëm. Sistemi i “check-in”-it drejtohet nga “Amadeus Altea” dhe përdoret nga 125 linja ajrore. Kompania përgjegjëse për programin kompjuterik tha se është një “problem i rrjetit”, ai që ka shkaktuar pështjellimin, por shërbimet sipas saj po rikthehen gradualisht.