Kongresi amerikan pritet të votojë të premten projektligjin për ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin

Kongresi amerikan pritet të votojë të premten projektligjin për ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin

Bota April 16, 2024 - 22:14

Pas dy muajsh të miratimit nga Senati, projektligji për sigurinë kombëtare, që përfshinë ndihmat për Ukrainën, Izraelin dhe rajonin e Indo-Paqësorit me gjasë do të votohet të premten nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Udhëheqësi republikan i Dhomës, Mike Johnson, me gjithë kundërshtimet e ashpra të ligjvënësve konservatorë, njoftoi se teksti i projektligjit do të publikohet të martën pasdite duke krijuar mundësinë që votimi të mbahet në fund të javës.

Sipas kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësit do të kenë 72 orë kohë të njihen me projekt-ligjin, deri në votimin e tij të premten.

Të hënën në mbrëmje, Johnson njoftoi se projektligji do të ndahet në katër pjesë, raporton zeriamerikës.

“Ne do të votojmë për ndihmën për Izraelin, për Ukrainën dhe Indo-Paqësorin. Më pas edhe për një projekt-ligj tjetër, që përfshin prioritetet tona të sigurisë kombëtare dhe që ndër të tjera parashikon t’i japë Presidentit të drejtën të shfrytëzojë pasuritë e ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës dhe disa sanksione të tjera ndaj Iranit dhe masa të tjera për të cilat ne kemi diskutuar për një kohë të gjatë”, pohoi ai.