Dubai përmbytet nga shirat, mbyllet aeroporti e rrugët “kthehen” në lumenj

Dubai përmbytet nga shirat, mbyllet aeroporti e rrugët “kthehen” në lumenj

Bota April 17, 2024 - 08:58

Dubai është përmbytur nga shirat dhe rrebeshet, ku rrugët u kthyen në lumenj dhe uji i vrullshëm përmbyti shtëpi dhe biznese.

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, i kurorëzuar së fundmi si aeroporti i dytë më i ngarkuar në botë, u mbush me ujë, ndërsa avionët e mëdhenj dukeshin më shumë si varka lundrimi. Kjo bëri që aeroporti të ndërpresë të gjitha funksionet, pasi edhe rrugët kryesore që lidhin me aeroportin janë të përmbytura.

Shumë pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroport pasi nuk kishin mundësi transporti jashtë terminalit. Vetëm në 12 orët e fundit  në Dubai ra 100 mm shi, një sasi që në këtë zonë bie gjatë gjithë vitit.

Ashtu si pjesa tjetër e Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai ka një klimë të nxehtë dhe të thatë. Si i tillë, reshjet janë të rralla dhe në shumë zona ka infrastrukturë të kufizuar si kullimi për të trajtuar ngjarjet ekstreme. Shira të tillë të rrëmbyeshëm do të bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.