Ngadalësohet ritmi rritës i inflacionit në Shqipëri, në mars niveli më i ulët që nga viti 2021

Ngadalësohet ritmi rritës i inflacionit në Shqipëri, në mars niveli më i ulët që nga viti 2021

Ekonomia April 09, 2024 - 08:30

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit në Shqipëri. INSTAT-i bëri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2024 është 2.3 për qind.

Ky është niveli më i ulët që nga korriku 2021, përpara se të niste një valë shtrenjtimesh, e ndikuar fillimisht nga zhbalancimet që solli pandemia e më pas nga pasojat në tregjet e mallrave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Në tetor 2022, inflacioni arriti deri në 8.3 për qind, niveli më i lartë që nga 1998-a.

Më pas rritja e çmimeve nisi të ngadalësohej dhe viti 2022 u mbyll në nivelin e 4 për qind.

Në muajt e parë të 2024-s, inflacioni zbriti poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind.

Që prej fillimit të vitit 2022, Banka e Shqipërisë nisi një politikë shtrënguese monetare, në funksion të objektivit të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Nga 0.25 për qind, norma bazë ka arritur në 3.25 për qind. Pas rënies së inflacionit nuk pritet që Baka e Shqipërisë të vijojë më me këtë politikë shtrënguese.

Edhe në Eurozonë inflacioni ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke rezultuar në 2.4 për qind në mars. Banka Qendrore Evropiane ka sinjalizuar se mund të nisë uljen e normave të interesit nga qershori.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,70 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,45 pikë përqindje.