Banorët e Shipitullës ankohen se KEK-u nuk po ua kompenson objektet

Banorët e Shipitullës ankohen se KEK-u nuk po ua kompenson objektet

Ekonomia April 14, 2024 - 20:22

Banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit po ankohen se KEK-u nuk ua ka kompensuar objektet nga të cilat duhet të largohen për shkak se nga aty do të nxirret thëngjill për prodhim të rrymës. Ata kanë edhe ankesa të tjera për të cilat presin zgjidhje.

Përveç kësaj, banorët që kanë mbetur ende pa u zhvendosur nga fshati Shipitullë të Obiliqit, janë në hall edhe me pronat.

Ata pretendojnë se ndryshe nga pronat, KEK-u nuk ua ka kompensuar edhe objektet. Nga kjo zonë do të nxirret thëngjill për prodhim të rrymës.

Përveç kësaj, shqetësim tjetër kanë edhe rrugën që i lidh me komunën e Obiliqit për të cilën ankohen se pritet të mbyllet.

“Ju kemi drejtuar KEK-ut, ministrit, kryeministrit, gjithkund jemi ankuar, nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri sot. Kjo rrugë që na lidh me Obiliq parashihet me u mbyll, për t’i kryer shërbimet na ose duhet të shkohet në Fushë Kosovë ose në Prishtinë. Çka o tu ndodh këtu është tmerr”, tha Fatmir Mjekiqi.

Një banor tjetër thotë se nuk po i lejohet të ndërtojë shtëpi në pronën e tij në këtë zonë. Xhemil Mjekiqi, tha se ata nuk i kanë lanë të ndërtojnë shtëpi aty për shkak se i kanë thënë se është zonë me interes.

RTK ka dërguar në KEK pyetje për këto shqetësime të banorëve të Shipitullës, por të premten nuk ka marrë përgjigje.