Kosova përballet me deficit të lartë tregtar ndaj vendeve të rajonit, Shqipëria partneri më i favorshëm
Foto: Zëri / Ilustrim

Kosova përballet me deficit të lartë tregtar ndaj vendeve të rajonit, Shqipëria partneri më i favorshëm

Ekonomia May 25, 2026 - 15:42

Kosova po përballet me deficit të lartë tregtar ndaj vendeve të rajonit. Raportet tregojnë se Shqipëria mbetet partneri më i favorshëm tregtar për Kosovën, ndërsa me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut është shënuar rritje e ndjeshme e deficitit.

Kosova vazhdon të mbetet treg më shumë për mallrat e fqinjëve sesa shtet që eksporton produkte të veta.

Statistikat e fundit të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës të marra nga Agjencia e Statistikave, tregojnë se nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, Kosova blen shumë më tepër sesa shet.

Nga të tri shtetet që e rrethojnë, Shqipëria del partneri më i favorshëm për Kosovën. Megjithëse edhe me Shqipërinë Kosova mbetet në deficit prej 126.8 milionë euro, raporti eksport-import është dukshëm më i balancuar krahasuar me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vitit 2025, Kosova eksportoi në Shqipëri mallra në vlerë prej 159.9 milionë euro, ndërsa importoi 286.7 milionë euro. Kjo do të thotë se eksportet e Kosovës mbulojnë mbi gjysmën e importeve nga Shqipëria, me një normë mbulueshmërie prej 55.8 për qind.

Krejt ndryshe paraqitet situata me Maqedoninë e Veriut.

Deficiti tregtar me këtë shtet ka arritur në 213.3 milionë euro, duke u bërë më i larti ndër vendet e rajonit.

Kosova ka eksportuar vetëm 138.5 milionë euro mallra, ndërsa ka importuar plot 351.7 milionë euro. Praktikisht, tregu vazhdon të mbushet me produkte nga Maqedonia e Veriut, derisa eksportet vendore nuk arrijnë as ta mbulojnë gjysmën e importeve.

Edhe më alarmuese duken shifrat me Serbinë.

Pavarësisht retorikës politike për forcim të prodhimit vendor dhe zvogëlim të varësisë nga importet serbe, statistikat tregojnë të kundërtën. Vetëm gjatë vitit 2025, importet nga Serbia shpërthyen me rritje prej 80.9 për qind.

Tregtia Kosovë – Shqipëri

Deficiti tregtar në rënie

-126.8 milionë € (↓ 24.2% krahasuar me 2024)

Eksporti & importi

Eksporti: 159.9 milionë € (↓ 6.5%)

Importi: 286.7 milionë € (↓ 15.2%)

Mbulueshmëria e importit nga eksporti: 55.8% (nga 50.6%)

Trendi 2022–2025

Rënie e lehtë e eksporteve në 2025

Rënie e importeve pas rritjeve të mëparshme

Përmirësim gradual i deficitit tregtar

Tregtia Kosovë – Maqedoni e Veriut

Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2025 është thelluar ndjeshëm deficiti tregtar i Kosovës me Maqedoninë e Veriut, si rezultat i rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve.

Deficiti tregtar në rritje

-213.3 milionë € (↑ 40.6% krahasuar me 2024)

Eksporti & importi

Eksporti: 138.5 milionë € (↓ 5.2%)

Importi: 351.7 milionë € (↑ 18.1%)

Mbulueshmëria e importit nga eksporti: 39.4% (nga 49.1%)

Trendi 2022–2025

Eksporti në rënie gjatë vitit 2025

Rritje e vazhdueshme e importeve

Thellim i deficitit tregtar

Tregtia Kosovë – Serbi

Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2025 është thelluar ndjeshëm deficiti tregtar i Kosovës me Serbinë, si rezultat i rritjes së fortë të importeve.

Deficiti tregtar në rritje

-173.1 milionë € (↑ 126.4% krahasuar me 2024)

Eksporti & importi

Eksporti: 61.5 milionë € (↑ 15.5%)

Importi: 234.6 milionë € (↑ 80.9%)

Mbulueshmëria e importit nga eksporti: 26.2% (nga 41.1%)

Trendi 2022–2025

Eksporti shënon rritje të lehtë në 2025

Importi rritje të ndjeshme pas luhatjeve në 2024

Bilanci tregtar mbetet dukshëm negativ

Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej 234.6 milionë euro, ndërsa eksportoi vetëm 61.5 milionë euro.

Mbulueshmëria e importeve me eksporte ndaj Serbisë ka rënë në vetëm 26.2 për qind, një tregues që dëshmon sa i varur vazhdon të mbetet tregu kosovar nga mallrat serbe.

Në praktikë, Kosova po funksionon më shumë si treg konsumues për ekonomitë e rajonit sesa si ekonomi prodhuese që arrin të eksportojë fuqishëm.

Nga Serbia importohen kryesisht ushqime, pije, produkte bujqësore, metale dhe produkte kimike. Nga Maqedonia e Veriut dominojnë produktet minerale dhe ushqimore, ndërsa nga Shqipëria kryesisht produktet minerale dhe bujqësore.

Kosova ka deficit prej 126.8 milionë eurosh me Shqipërinë, 173.1 milionë euro me Serbinë dhe 213.3 milionë euro me Maqedoninë e Veriut. Nga të tria vendet, Serbia ka shënuar rritjen më të madhe të deficitit tregtar gjatë vitit 2025, me mbi 126 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet partneri me deficitin më të lartë në vlerë absolute. /Monitor.al