MINTI dhe Komuna e Gjilanit nënshkruajnë marrëveshje për projektimin e Parkut Industrial
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektimin e Parkut Industrial në Gjilan.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, formalizuan bashkëpunimin vetëm pak javë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e Parkut Industrial në Gjilan.

“Ky projekt synon krijimin e kushteve më të favorshme për investime, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Përmes marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për projektimin dhe zhvillimin e parkut industrial sipas standardeve bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm. Parku Industrial do të ndërtohet duke promovuar parimet e ekonomisë qarkore, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.