Theret për vdekje një 37-vjeçar në Mitrovicë
Një 37-vjeçar ka humbur jetën në Mitrovicë të Jugut si pasojë e therjes me thikë.
Policia ka bërë të ditur se edhe një person tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e plagosjes me thikë nga i dyshuari i njëjtë.
I dyshuari, 31-vjeçar, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
“Më datë 27.05.2026, rreth orës 22:00, Policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në Spitalin Rajonal Mitrovicë Jug gjendet një person i lënduar nga një mjet i mprehtë (thikë). Nga mjeku kujdestar është konfirmuar se viktima mashkull, i moshës 37 vjeç si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën. Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin”.
“Gjithashtu në këtë rast ishte lënduar edhe një person tjetër me mjet të mprehtë nga i dyshuari i njëjtë. Personi i lënduar pas trajtimit të pranuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Shërbimin Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe sipas informatave të pranuara nga stafi mjekësor, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.