Shkaktoi zjarrin në Shëngjin dhe hoqi kamerat, arrestohet 57-vjeçari

Shkaktoi zjarrin në Shëngjin dhe hoqi kamerat, arrestohet 57-vjeçari

Kronika July 04, 2026 - 21:27

Një 57-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi dyshohet se shkaktoi zjarrin që përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit, ndërsa më pas tentoi të fshihte provat.

Sipas Policisë shqiptare, ngjarja ndodhi më 3 korrik në vendin e quajtur “Sagë”, ku shtetasi B. A. dyshohet se ndezi zjarr për të djegur mbeturina pranë subjektit të tij tregtar.

Flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në zonën pyjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Gjatë përhapjes së zjarrit, në terren ndodhi edhe një shpërthim, i dyshuar se u shkaktua nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila shpërtheu si pasojë e temperaturave të larta.

Si pasojë u plagos lehtë A. U., 30 vjeç, pasagjer në një automjet që po kalonte në zonë. Ai mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet rezultoi se i dyshuari kishte hequr DVR-në e kamerave të subjektit të tij, veprim që dyshohet se është kryer për të penguar zbardhjen e ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve procedurale, B. A. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia. /a2cnn