Policia: Kujdes nga e-maili mashtrues
Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një e-mail mashtrues që po qarkullon në emër të institucionit, duke u bërë thirrje që ai të mos hapet dhe të injorohet plotësisht.
Sipas njoftimit , gjatë ditës së sotme disa qytetarë kanë raportuar se kanë pranuar një e-mail të rremë, i cili paraqitet kinse si shkresë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Mesazhi pretendon se marrësi duhet të përgjigjet urgjentisht ndaj një "urdhri të gjykatës", ndërsa përmban edhe një dokument të bashkëngjitur, i cili gjithashtu është fals.
Policia ka bërë të ditur se është duke hetuar burimin e këtij e-maili, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e hapin dhe të mos ndërveprojnë me përmbajtjen e tij.
Policia rikujton se mesazhi nuk është zyrtar dhe këshillojnë qytetarët të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos kryejnë pagesa përmes faqeve që kërkojnë verifikim me SMS.
Në rast se një qytetar pranon një mesazh të tillë, rekomandohet që ai të fshihet menjëherë, të raportohet tek autoritetet kompetente
"Fshijeni menjëherë,raportojeni tek autoritetet përkatëse, kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna.Raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në 192.Qëndroni të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online", thuhet në njoftim.