Shtetasi kosovar i dënuar për tentim vrasje transferohet nga Kroacia në Kosovë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet kroate, ka realizuar transferimin e një shtetasi kosovar nga Kroacia në Kosovë, për të vazhduar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burg.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, transferimi është realizuar më 15 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“I dyshuari në fjalë sipas Kodit Penal të Kroacisë ishte i dënuar me burg për kryerjen e veprës penale kundër jetës dhe trupit, tentativë e vrasjes së rëndë, dhe transferimi i tij është bërë me qëllim që pjesën e mbetur të dënimit me burg, ta mbajë në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Transferimi është kryer në bazë të legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.