Mbi dy mijë raste të dhunës në familje brenda nëntë muajve
Vrasja e Arlinda Zekajt është një nga tetë rastet e vrasjes së grave gjatë këtij viti.
Ndërkohë, shifrat tregojnë se deri në shtator, në Kosovë janë regjistruar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje, ku shumica prej viktimave ishin gra.
E diela e 25 tetorit e tronditi vendin.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj me sopatë në Vitomiricë të Pejës.
Ajo u bë njëra nga tetë gratë e vrara gjatë vitit 2026 nga partnerët, ish-partnerët apo familjarët e tyre.
Të dhënat e Policia e Kosovës tregojnë se dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në Kosovë.
Deri në shtator të këtij viti, janë regjistruar 2 mijë e 52 raste të dhunës në familje. Prej tyre, 1 mijë e 626 viktima janë gra.
Por si trajtohen këto raste nga ana juridike?
“Sipas ligjit në fuqi, nuk është e domosdoshme patjetër vetëm viktimat ta raportojnë dhunën, por edhe personat e tjerë, të cilët e shohin dhunën, e kanë obligim ligjor dhe detyrim ligjor që ta raportojnë. Andaj, qysh nga policia, në momentin kur një viktimë e adreson, raporton rastin në polici, policia e ka për obligim që t’i marrë të gjitha veprimet ligjore”, shprehet Anton Nrecaj-jurist.
E kur vlerësohet se rrezikshmëria është e lartë, duhet të ndërmerren edhe masa për konfiskimin e armëve që mund të përdoren nga dhunuesi.
“Sipas detyrës zyrtare, menjëherë rastet e dhunës në familje konsiderohen edhe si vepra penale …, natyrisht se do të duhej që nëse niveli i rrezikshmërisë, po thuhet që është i lartë, prokuroria të ndërmarrë bashkëpunim me policinë veprime të bastisjes dhe të konfiskojë armët me të cilat potencialisht i njëjti dhunuesi mund të kryente vepër penale”, thotw ai.
Por cilët janë disa nga faktorët që po ndikojnë lidhur me dhunën në familje.
“Kemi shëndetin mendor, kemi rritje të madhe të substancave psikoaktive, drogave, të cilat po ndikojnë edhe në mirëqenien dhe jetën, kualitetin brenda familjes, edhe po mundet me qenë një shkaktar i dhunës shtesë. Situata apo mirëqenia jonë socio-ekonomike, e disa faktorë tjerë, të cilat lidhen me socialen, ndoshta edhe me gjyqësinë, me drejtësinë, të cilat në disa raste shumë procese gjyqësore po vonojnë, edhe njerëzit, pastaj, i marrin gjërat si me kanë apo në duart e veta, duke bërë vetëgjyqësi”, tregon Genx Xerxa-sociolog.
Ndryshe, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2711 raste të dhunës në familje, 1931 prej tyre viktimat ishin femra. /tëvë1