Ana Kabashi merr pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë, shkëlqen me paraqitjen elegante

Ana Kabashi merr pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë, shkëlqen me paraqitjen elegante

Kultura May 21, 2026 - 22:34

Këngëtarja kosovare Ana Kabashi ka qenë pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha të industrisë së filmit, duke marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Artistja me origjinë nga Peja ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi nga kjo paraqitje, ku është shfaqur tejet tërheqëse dhe e kuruar deri në detaje, duke tërhequr vëmendje me stilin e saj elegant në tapetin e kuq.

Në imazhet e publikuara, Ana shihet me një fustan të bardhë prej dantelle, me prerje të guximshme dhe detaje të punuara, që i jepnin paraqitjes një pamje glamuroze dhe shumë feminine. Ajo e kishte kombinuar veshjen me flokë të krehura pas në stil të rregullt, ndërsa make-up-i i theksuar – me fokus te sytë dhe buzët me shkëlqim – i kompletonte pamjen në mënyrë perfekte.

Detajet e aksesorëve gjithashtu binin në sy: Ana u shfaq me vathë të vegjël elegantë dhe një varëse delikate, duke ruajtur një balancë të pastër mes luksit dhe finesës.

Fotografitë e saj nga Kana kanë marrë reagime të shumta, me ndjekës që e kanë komplimentuar për paraqitjen dhe faktin që po përfaqëson Kosovën në një skenë kaq prestigjioze. /telegrafi