Nis restaurimi i Kullës së Turanit, monument kulture i shekullit të 19-të
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli pamje nga puna për restaurimin e Kullës së Turanit.
Kjo kullë e vendosur në fshatin Turan të qarkut të Korçës, është Monument Kulture, Kategoria I. Ajo është një dëshmi e çmuar e trashëgimisë sonë historike dhe arkitektonike.
Ministri bëri të ditur se, investimi financohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), ndërsa projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.
Ndërhyrja synon ruajtjen e origjinalitetit dhe forcimin strukturor të monumentit, duke i dhënë jetë të re kësaj pasurie kulturore dhe duke siguruar mbrojtjen e saj për brezat që vijnë.
Kulla e Turanit ishte përfshirë në listën e objekteve në risk të DRTK Korçë. Ajo ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe një ambient në çdo kat, me funksion të përqendruar kryesisht në mbrojtje, gjë që vihet re edhe nga mungesa e dritareve dhe volumi i mbyllur. Kulla, e ndërtuar në shekullin XIX, ka një lartësi prej 15 metrash dhe ndahet në katër kate. /atsh